“Edhe gjuha është zjarr; bota e padrejtësisë. Gjuha është e vendosur
ndër gjymtyrët tona si ajo që e njollos tërë trupin dhe që i vë flakën rrotës së rrjedhës
së jetës, dhe që merr flakë nga Gehena. …por gjuhën asnjë nga njerëzit nuk mund ta zbusë…” JAKOBI 3:6, 8
Tri gjëra nuk kthehen më kurrë: shigjeta e lëshuar, fjala e folur dhe mundësia e humbur. Ajo që themi, nuk mund të kthehet pas. Për më tepër, neve do të na duhet të japim llogari për çdo fjalë që kemi thënë — madje edhe për fjalët tona të shkujdesura — në ditën e gjykimit (shih Mateu 12:36). Siç e tha mbreti Solomon: “Kush e kontrollon gojën, mbron jetën e vet, por ai që i hap shumë buzët e tij shkon drejt shkatërrimit” (Fjalët e Urta 13:3); dhe “Vdekja dhe jeta janë nën pushtetin e gjuhës…” (18:21). Fjalët tona mund të shërbejnë për të inkurajuar, për të ushqyer dhe për të shëruar. Mirëpo ato, gjithashtu, mund të shkaktojnë grindje, të krijojnë mosmarrëveshje dhe të bëjnë dëm. Solomoni na jep një pamje të shumanshme për karakteristikat e fjalëve të tilla të dëmshme. Ai i përshkruan fjalët që dëmtojnë si fjalë të pamatura, si shpime “me shpatë” (12:18). Fjalët tona shpesh lëshohen pa kujdes dhe ne bëhemi si dikush që “përgjigjet për një çështje para se ta ketë dëgjuar” (18:13). “Në fjalët e shumta faji nuk mungon…” (10:19).
Sigurisht që do ta keni dëgjuar thënien se shkopinjtë dhe gurët mund të na thyejnë kockat, por fjalët nuk mund të na dëmtojnë kurrë — megjithatë, kjo është plotësisht e gabuar. Vurratat mund të largohen dhe shenjat që kanë lënë, të harrohen. Mirëpo fjalët lënduese që na janë thënë neve dhe për ne, kanë prirjen për të na mbetur në mendje për një
kohë të gjatë. Më të vërteta janë vargjet e mëposhtme:
Një fjalë e pakujdesshme grindje mund të ndezë,
Një fjalë mizore një jetë mund të shkatërrojë,
Një fjalë e hidhur urrejtje mund të ngjallë,
Një fjalë brutale mund të godasë dhe të vrasë.
Do të ishte e vështirë të llogaritej se sa miqësi janë prishur, reputacioni i sa e sa njerëzve është shkatërruar ose paqja e sa e sa familjeve është prishur, për shkak të fjalëve të dëmshme. Sipas Jakobit, vetë burimi i gjithë armiqësisë dhe gjuhës fyese nuk është asgjë tjetër, përveçse vetë Gehena. Po, gjuha jonë është “zjarr” dhe “asnjë nga njerëzit nuk mund ta zbusë” pa veprën e Frymës së Shenjtë të Perëndisë.
Ndalo dhe mendo se sa fjalë ke përdorur gjatë 24 orëve të fundit dhe se si i përdore ato. “Vdekja dhe jeta janë nën pushtetin e gjuhës” — prandaj, a shkaktoi dëm ndonjë nga fjalët e tua, duke e rrëzuar dikë tjetër në njëfarë mënyre? Ky është një mëkat për të cilin duhet të pendohemi dhe duhet ta braktisim. A është kjo diçka të cilën duhet ta bësh përpara Perëndisë dhe para personit të cilit ia the ato fjalë?
Pastaj mendo për fjalët që mund të flasësh gjatë 24 orëve të ardhshme. Si mund të përdoren ato për të sjellë jetë? Si mund ta reflektosh Atë që “mëkat nuk bëri dhe nuk u gjet dredhi në gojën e tij”? Përkundrazi, “kur e shanin, nuk e kthente sharjen… [Ai] i cili vetë i mbarti mëkatet tona… që ne, duke vdekur në lidhje me mëkatet, të jetojmë në lidhje me drejtësinë” (I e Pjetrit 2:22-24).
