“…mbajeni veten tuaj në dashuri të Perëndisë, duke pritur mëshirën e Zotit tonë Jezu Krisht për jetë të përjetshme.” JUDA 21
Edhe pse Perëndia është plotësisht i aftë t’ju “ruajë të papengueshëm” dhe t’ju bëjë të ngulmoni në besim (Juda 24), prapëseprapë, Ai ju thërret që të luani një rol aktiv në vazhdimin e jetës së krishterë — domethënë, që ta mbani veten në dashurinë e Tij.
Ndjekja e dashurisë së Perëndisë duhet të jetë e vazhdueshme në jetën tonë. Kjo është arsyeja pse Bibla ka kaq shumë për të thënë në lidhje me këtë! Nuk ka lundrim të lirë në ecjen e besimit; besimi ynë nuk do të forcohet vetë. Atëherë, si mund ta mbajmë veten në dashurinë e Perëndisë?
Së pari, Shkrimi na mëson se, për ta ruajtur dashurinë tonë për Perëndinë, ne duhet të vazhdojmë ta urrejmë çdo mëkat (shih Fjalët e Urta 8:13; Psalmi 97:10; Romakëve 12:9). Nëse fillon të luash me mëkatin, ta inkurajosh atë ose t’i lejosh vetes të emocionohesh prej tij, dashuria jote për Perëndinë do të dobësohet në mënyrë të pashmangshme.
Së dyti, ne mund ta ushqejmë dashurinë tonë për Perëndinë duke u kënaqur në porositë që Ai i dha kishës. Për shembull, Jezusi e themeloi Darkën e Zotit si një mjet përmes të cilit Ai të takohet me ne në një mënyrë të veçantë, duke na treguar Veten që ta njohim dashurinë e Tij dhe ta duam Atë gjithashtu. Ne vetë e kemi të pamundur të ruajmë një marrëdhënie të shëndetshme me Perëndinë, ndërkohë që shkëputemi nga mjetet e hirit që Ai caktoi.
Së treti, duhet të kujtojmë se mbajtja e vetes sonë në dashurinë e Perëndisë nuk është vetëm një kërkim individual, por edhe një përpjekje e përbashkët. Ne shkojmë te Krishti individualisht, por nuk jetojmë të vetëm në Të. Si gurë të gjallë, ne po ndërtohemi për të qenë një shtëpi frymërore, me qëllim që të jemi një priftëri e shenjtë besimtarësh (I e
Pjetrit 2:5). Kultivimi i miqësive të thella dhe të sinqerta me të tjerë që e duan Perëndinë, na ndihmon për ta dashur Atë. Marrëdhëniet rrallëherë janë neutrale. Nëse dëshirojmë të rritemi në besim, duhet të kërkojmë shoqërinë e miqve të perëndishëm.
Rritja në besim kërkon veprim dhe llogaridhënie — mirëpo kërkon edhe durim ndërsa presim “mëshirën e Zotit tonë Jezu Krisht për jetë të përjetshme”. Jemi thirrur për të ndjekur një marrëdhënie në rritje e sipër me Atin tonë qiellor, duke u larguar nga mëkati dhe duke shijuar dhuratat e Tij përkrah të tjerëve që kanë një natyrë të re dhe brenda të cilëve banon Fryma e Shenjtë, ndërsa presim me padurim shpengimin e trupave tanë dhe përmbushjen e përsosur të qëllimeve të Perëndisë (Romakëve 8:23).
Prandaj, “…kryejeni shpëtimin tuaj me frikë dhe me dridhje; se Perëndia është ai që vepron në ju…” (Filipianëve 2:12-13). Ne nuk punojmë për shpëtimin tonë, por e kryejmë atë, në të gjitha fushat e jetës sonë. Çfarë mëkati duhet të luftosh? Në ç’mënyrë duhet të kërkosh miqësi të thellë të krishterë? Mbaje veten në dashuri të Perëndisë.
