“Çdo hidhësi dhe mllef, dhe zemërim, dhe bërtitje, dhe fyerje të hiqet nga ju, bashkë me çdo ligësi.” EFESIANËVE 4:31
Shumica prej nesh, për të mos thënë të gjithë ne, e dinë se si është të zgjohesh me mendi min se jeta jonë nuk i afrohet aspak asaj që do të donim të ishte. Ndoshta kështu u ndiet kur u zgjuat sot në mëngjes. Fizikisht, emocionalisht, në marrëdhënie, financiarisht, dhe madje edhe frymërisht, ne mund të përballemi me ditë veçanërisht të vështira dhe si rezultat, tundohemi të zhgënjehemi. Çfarë duhet të bëjmë?
Një vend i dobishëm nga t’ia fillojmë është duke i kërkuar Perëndisë mbrojtjen e Tij nga tri burime të fuqishme telashesh frymërore, nga “vrasësit e heshtur”: hidhësia, mëria dhe keqardhja për veten. Këto të tria do ta mbytin ngadalë besimin tonë dhe do të kthehen në zili dhe keqdashje ndaj atyre që kanë atë që dëshirojmë ne. Pra, në situatat me të cilat përballemi, të cilat ndoshta i dimë vetëm ne dhe Perëndia, kemi nevojë për ndihmën e Tij, që të reagojmë me zemra të buta dhe jo me shpirtra të ashpër.
Në letrën e tij drejtuar besimtarëve në Efes, Pali i inkurajoi — në fakt, i urdhëroi — të hiqnin tej çdo hidhësi, mllef dhe zemërim. Edhe pse kjo është më e lehtë të thuhet sesa të bëhet, vetë urdhërimi i Palit është kaq i drejtpërdrejtë. Në fakt, nuk ka asnjë urdhër në fjalën e Zotit të cilit nuk mund t’i bindemi, sado i vështirë të duket, sepse Perëndia gjithmonë i shoqëron me fuqi urdhërimet e Tij. Prandaj, nëse Ai thotë, Hiqeni qafe diçka, ju dhe unë mund të kemi sigurinë se Ai mund ta sjellë fuqinë e Frymës brenda jetës sonë, për të na aftësuar që ta bëjmë atë që Ai na ka urdhëruar. Nëse jetojmë me zemra të mbushura me hidhësi, mëri ose keqardhje, atëherë mund të fajësojmë vetëm veten tonë. Pavarësisht nga dëshira ime e madhe, nuk mund t’ia lë përgjegjësinë Perëndisë.
Dikush që mund të kishte argumentuar se rrethanat e saj i legjitimuan këto tri ndjenja helmuese është Ana, historinë e së cilës e lexojmë në fillim të Librit të Parë të Samuelit. Ajo duhet të jetë përleshur me secilën prej këtyre ndjenjave teksa muajt kalonin njëri pas tjetrit dhe ajo nuk mbetej shtatzënë, ndërkohë që çdo ditë e re sillte talljet e gruas tjetër të burrit të saj, si dhe pamjen e fëmijëve që Perëndia i kishte dhënë asaj gruaje. Mirëpo ajo i mori zhgënjimet dhe trishtimin e saj, dhe bëri diçka të mirë me to: Ana u lut. Ajo ia hapi zemrën Perëndisë. Dhe, duke e ditur se Ai e kishte dëgjuar, ajo u largua e qetë. Edhe pse në atë çast trupi i saj vazhdonte të ishte shterp dhe rrethanat mbetën të pandryshuara, Ati i saj qiellor e kishte çliruar frymën e saj.
Perëndia e mbrojti Anën nga vrasësit e heshtur: hidhësia, mëria dhe keqardhja për veten — dhe Ai do të na mbrojë edhe ne. Prandaj, nuk ka pse të rrini zgjuar natën, duke u mun duar të siguroheni që jeta juaj të funksionojë ashtu siç dëshironi. Nuk ka pse të sundoheni nga ajo ndjenjë e ankthshme kur zgjoheni dhe nisni një ditë tjetër në rrethana të padëshiruara. Përkundrazi, ju mund t’i shfrytëzoni ato çaste për të mësuar vlerën e lënies së pyetjeve të zemrës suaj dhe të situatave që nuk i kuptoni në kujdesin e Perëndisë — i cili, në fund të fundit, është pikërisht vendi ku duhet t’i lini.
