“A nuk e dini se ata që vrapojnë në stadium, vërtet vrapojnë të gjithë, por vetëm
një e merr çmimin? Vraponi në mënyrë të atillë që ta kapni. Tani, kushdo që garon,
vetëpërmbahet në të gjitha; ata, pra, që të marrin një kurorë të prishshme, ndërsa ne të
paprishshme. Si rrjedhim, unë kështu vrapoj, jo si pa synim…” I KORINTASVE 9:24-26
Garat atletike ishin të rëndësishme në kulturën greke, e cila mbizotëronte në pjesën lindore të Perandorisë Romake në kohën e Besëlidhjes së Re. Një komentues e përshkruan Korintin si një qytet, turmat e të cilit kërkonin vetëm dy gjëra: bukë dhe lojëra.
Në garat më të vogla vendore jepeshin një sërë çmimesh, por në ngjarjet kryesore kishte vetëm një çmim — shpesh një kurorë dafine ose pishe. Konkurrentët shpenzonin muaj të tërë të jetës së tyre duke lënë mënjanë gjithçka që mund ta shijonin — të gjitha marrëdhëniet, të gjitha ushqimet, të gjitha veprimtaritë e kohës së lirë, të cilat do ta minonin aftësinë e tyre për të fituar — me qëllim që ta fiksonin shikimin e tyre mbi një kurorë dafine. Pali e përdor këtë krahasim për t’i inkurajuar besimtarët që të jetojnë me sytë drejt çmimit të përjetshëm të përlëvdimit të Krishtit dhe të bashkimit me Të.
Në olimpiadat e shkollave, ajo që fillon si një turmë e madhe, shpesh zvogëlohet shpejt në tri grupe: një grup i vogël që konkurron për medaljen e artë, numri më i madh i vrapuesve në mes përpiqen të jenë “mesatarë” dhe ata që mbeten pas, janë zakonisht shpirtrat cinikë, përçarës, të zhgënjyer dhe të keqardhur. Fjala që përdor Pali për “vrapo” në këtë varg, e përshkruan vrapuesin jo si dikush që mbetet prapa, jo si dikush që endet kot, jo thjesht si një pjesëmarrës me gjysmë zemre, por si një fitues çmimi. Si të krishterë, ne duhet t’i themi “jo” vrapimit pa qëllim. Ne duhet të konkurrojmë për të fituar medaljen e artë.
Të jetosh duke u përqendruar te çmimi, kërkon sakrificë — veçanërisht, sakrifikimin e çdo dëshire që shkon kundër vullnetit të Perëndisë. Fjala “atlet [kushdo që garon]” në vargun 25 është përkthimi i fjalës agonizomenos, nga e cila vjen fjala “agoni”. Të jesh atlet, do të thotë të zgjedhësh të mos jesh rehat. Të jesh i krishterë, do të thotë të zgjedhësh të njëjtën gjë. A jemi të përgatitur për të vuajtur dhe për të sakrifikuar për Krishtin, duke ditur se vetëm atëherë do të përjetojmë gëzimin e të fituarit të çmimit të një jete të jetuar mirë për Të?
Por si duhet ta ofrojmë një sakrificë të tillë apo të vrapojmë me një përqendrim të tillë? Kjo nuk do të jetë rezultat i forcës sonë ose i vetëdrejtësisë sonë. E gjitha kjo është shpirti dhe thelbi i fesë së rreme. Jo, vetëm bashkimi ynë me Krishtin siguron fuqinë dhe potencialin për këtë ndryshim. Jezusi na la shembullin e sakrificës së vullnetshme me çmimin e përjetshëm në mendje (Hebrenjve 12:2). Kur Ai është themeli i zemrës dhe i jetës sonë, nuk ka asnjë cak të cilin nuk mund ta kalojmë me gëzim ndërsa vrapojmë në garën tonë për Të dhe e ndjekim Atë.
Kur u pyet për planin e garës që i kishte dhënë mundësi të fitonte medaljen e artë në vrapimin 400 metra në Lojërat Olimpike të vitit 1924, olimpisti dhe misionari i famshëm skocez, Eric Liddell-i, thuhet se u përgjigj: “Vrapoj 200 metrat e parë me sa kam fuqi. Pastaj, me ndihmën e Perëndisë, 200 metrat e tjerë vrapoj edhe më shpejt.” Prandaj, sot, mos vraponi pa qëllim ose ngadalë, por, me ndihmën e Perëndisë, vraponi edhe më fort drejt çmimit, për hir të Tij dhe për lavdinë e Tij.
