“Së fundi, vëllezër, gjithë sa janë të vërteta, gjithë sa janë të nderueshme, gjithë sa janë të drejta, gjithë sa janë të dëlira, gjithë sa janë të dashura, gjithë sa janë zëmira, nëse ka ndonjë virtyt dhe nëse ka ndonjë lavdërim, këto mendoni.” FILIPIANËVE 4:8
Në shumë mënyra, ne jemi ajo që mendojmë. Mendja jonë është rrënja e veprimeve tona, dhe ndjenjat tona gjallërohen përmes mendjes sonë. Prandaj, është krejtësisht e domosdoshme të mendojmë për gjërat e duhura dhe të mësojmë të mendojmë në mënyrën e duhur. Me fjalë të tjera, ne duhet të mësojmë të mendojmë si të krishterë.
Disa njerëz do të thoshin se të mendosh si i krishterë, do të thotë të kesh një mendje që përsiat vetëm tema qartësisht të krishtera, duke qenë e mbyllur ndaj çdo nocioni tjetër. Mirëpo kjo nuk përputhet me përshkrimin e të menduarit të krishterë që gjejmë në Shkrim. Bibla na mëson se në të vërtetë duhet të mendojmë për gjithçka, mirëpo duhet të mësojmë ta bëjmë këtë nga një këndvështrim biblik (II Korintasve 10:5). Ne duhet të këqyrim muzikën, inxhinierinë, mjekësinë, artin, drejtësinë, lirinë dhe dashurinë — të gjithë gamën e ekzistencës njerëzore — përmes thjerrës së të vërtetave të zbuluara të fjalës së Perëndisë.
Apostulli Pal e kuptoi këtë, prandaj na dha një listë cilësish me të cilat të ndërtojmë kuadrin e të menduarit tonë. Ai tha se, si ndjekës të Krishtit, mendimet tona duhet të drejtohen dhe të udhëhiqen nga cilësi si e vërteta, nderi, drejtësia dhe dëlirësia.
Ai thotë se ne duhet të mendojmë për ato gjëra në të cilat ka “ndonjë virtyt”. Fjala që ai përdor për “virtyt”, është fjala greke areté, e cila është fjala më gjithëpërfshirëse në gjuhën greke për “virtyt”. Me fjalë të tjera, Pali na jep standardin sipas të cilit mund të gjykojmë modelet tona të zakonshme të të menduarit. Ne mund të shikojmë fjalën e Perëndisë dhe të pyesim: “A është ajo që po zgjedh të mendoj dhe mënyra se si po zgjedh të mendoj për
të, në përputhje me virtytin moral? A është në përputhje me miratimin e Perëndisë?”.
Çfarë sfide që është kjo! Kjo mënyrë të menduari nuk do të ndodhë në boshllëk ose pa shumë përpjekje. Nëse shpresojmë ta kultivojmë atë, ne duhet të meditojmë për fjalën e Perëndisë ditë e natë (Jozueu 1:8). Ndërsa përpiqemi vazhdimisht që të shndërrohemi përmes ripërtëritjes së mendjes sonë (Romakëve 12:2), jo vetëm që do të lavdërojmë Perëndinë, por, gjithashtu, do të forcohemi në aftësinë tonë për të luftuar për ungjillin në
bisedat tona.
Prandaj, ndërsa reflektoni për mendimet tuaja, ja tri pyetje që duhen bërë teksa përpiqeni ta zbatoni këtë varg në jetën tuaj:
A ka ndonjë gjë për të cilën duhet të mendoj më shumë?
A ka ndonjë gjë për të cilën duhet të mendoj më pak apo aspak?
A ka ndonjë gjë për të cilën duhet të mendoj ndryshe?
