“Por ishin disa burra prej tyre… nisën t’u flisnin edhe helenistëve, duke shpallur si lajm të mirë Zotin Jezus… një numër i madh që besoi u kthye te Zoti. Tani, fjala lidhur me ta shkoi në veshët e kishës që ishte në Jerusalem dhe dërguan Barnabën deri në Antioki, i cili, kur mbërriti dhe pa hirin e Perëndisë, u gëzua dhe i nxiste të gjithë që t’i rrinë besnikë Zotit me përkushtimin e zemrës.” VEPRAT E APOSTUJVE 11:20-23
“ Mistershëm lëviz Perëndia, t’i kryejë të Tijat mrekulli.” Në jetën e kishës së hershme, përndjekja e bashkësive në Jerusalem — të vetmet kisha mbi tokë që ekzistonin deri në atë kohë — bëri që mesazhi i ungjillit të shkonte më tej dhe më shpejt nga sa do të kishte ndodhur nëse ata të krishterë të parë nuk do të ishin detyruar të largoheshin nga qyteti i tyre. Ndërsa besimtarët u shpërndanë nëpër qytetet e Fenikisë, Qipros dhe Antiokisë, ungjilli u përhap te “helenistët” — grekët — në atë rajon dhe shumë besuan.
Megjithatë, kur lajmi që këta johebrenj po ktheheshin në besim arriti në kishën e Jerusalemit, nuk u mirëprit menjëherë. Deri në atë kohë, përhapja e ungjillit kishte ndo dhur pothuajse tërësisht mes judenjve. Tani po vinin lajme që edhe grekët po bëheshin të krishterë. Kjo e ballafaqoi kishën me një zhvillim të ri, për të cilin ata nuk ishin ende gati. Çfarë po ndodhte? A duhej të buzëqeshnin me këtë gjë apo të vrenjtnin vetullat? Kë mund të dërgonin për t’u marrë me një zhvillim si ky?
Nuk duhet të na habisë fakti që ata zgjodhën të dërgonin Barnabën. Edhe pse jo të gjithë anëtarët e kishës mund të përballojnë mundësi të reja dhe të ndryshme, Barnaba ishte inkurajues dhe një burrë që e dallonte veprën shpenguese të Perëndisë te të tjerët, edhe kur ajo ishte e habitshme ose e çuditshme (shih Veprat e Apostujve 9:26-28). Sigurisht, Barnaba e kuptoi se ajo që kishte ndodhur ishte vepër e Zotit dhe u gëzua për shfaqjen e hirit të Perëndisë, duke i inkurajuar besimtarët e rinj me nxitjen që na nevojitet të gjithëve ne: të vazhdojmë në hir dhe t’i rrimë besnikë Perëndisë me gjithë zemër.
Nëse e kemi jetuar jetën duke u përpjekur ta kanalizojmë Frymën e Perëndisë në llogoret tona të vogla prej betoni, pasi kemi vendosur që kjo mënyrë apo ai vend është i vetmi në të cilin do të punojë Perëndia, duhet ta mendojmë edhe një herë këtë gjë. Ndërkohë që Perëndia vazhdon ta zgjerojë mbretërinë e Tij dhe ta derdhë Frymën e Tij mbi njerëzit që ne nuk presim fare të përfshihen në të, ne kemi mundësinë për të reaguar me atë lloj entuziazmi që tregoi edhe Barnaba. Edhe pse mesazhi i ungjillit është i pandryshueshëm, bota dhe kohët tona po ndryshojnë vazhdimisht. Megjithatë, Perëndia vazhdon t’i thërrasë njerëzit te Vetja, “prej çdo kombi dhe fisi, dhe populli, dhe gjuhe” (Zbulesa 7:9). Ne duhet të presim që Ai të na befasojë — të punojë në mënyra që nuk i kishim parashikuar dhe në një kornizë kohore që është e ndryshme nga jona. Dhe kur Ai ta bëjë këtë, duhet të jemi gati për të reaguar si Barnaba, “i mbushur me Frymën e Shenjtë dhe me besim” (Veprat e Apostujve 11:24), duke u gëzuar për veprat e reja të Perëndisë, gati për të qenë pjesë e tyre, dhe duke i inkurajuar të tjerët që të vazhdojnë të ecin në hirin e Tij.
