24 Shkurt 2026

“‘Ja, unë po dërgoj lajmëtarin tim për të përgatitur rrugën para meje. Dhe menjëherë
Zoti, që ju kërkoni, do të hyjë në tempullin e vet, engjëlli i besëlidhjes që ju kërkoni
me ëndje, ja, do të vijë’, thotë ZOTI i ushtrive.” MALAKIA 3:1

Populli i Perëndisë është një popull që pret.

Pasi populli i Perëndisë u kthye nga mërgimi në Babiloni, “profetët e vegjël”, Hagai, Zakaria dhe Malakia, u sollën atyre fjalën e Perëndisë. Mesazhi i tyre ishte i ngjashëm me atë që kishin thënë pararendësit e tyre përpara se populli të shkonte në robëri: Ju izraelitët jeni qesharakë! Ju vazhdoni ta shkelni besëlidhjen. Dhe nëse vazhdoni ta thyeni besëlidhjen, Perëndia do të vijë me gjykim.

Mirëpo mesazhi i profetëve të vegjël nuk ishte vetëm ai i gjykimit. Kishte edhe shpresë. Ata mund të ishin kthyer fizikisht në tokën e tyre, por frymërisht njerëzit ishin ende në mërgim. Juda — gjithçka që mbeti nga Izraeli — mbahej pas shpresës se Perëndia do ta përmbushte premtimin e Tij, në mënyrë që populli i Tij të mund t’i shijonte të Tijat bekime. Por mbretëria e Perëndisë nuk kishte ardhur ende ashtu siç e kishin shpallur profe-
tët e mëparshëm — sepse Mbreti i Perëndisë nuk kishte ardhur ende. Kështu, populli po priste që Zoti të kthehej dhe t’i përmbushte të gjitha premtimet e shpëtimit.

Profeti i fundit i Besëlidhjes së Vjetër, Malakia, këmbënguli se ky Mbret do të shfaqej — mirëpo tani kishin kaluar 400 vjet heshtje. Njerëzit lindnin, merreshin me jetën e tyre, punonin dhe vdisnin, dhe kështu cikli vazhdonte. Ata ndoshta pyesnin njëri-tjetrin: “Ç’ndodhi me ato fjalët, ‘unë po dërgoj lajmëtarin tim për të përgatitur rrugën para meje’? Kanë kaluar disa shekuj qëkurse u bë ai premtim.”

Më në fund, disa nga ata njerëz mund të kenë qenë duke shkuar në treg kur një personazh me pamje qesharake, i veshur me rroba të çuditshme dhe që hante ushqime të çuditshme, u shfaq nëpër rrugë, duke cituar Besëlidhjen e Vjetër: “Ashtu siç është shkruar në profetin Isaia: ‘Ja, po dërgoj lajmëtarin tim para fytyrës sate, i cili do të bëjë gati udhën tënde. Zëri i njërit që klith në shkreti: “Përgatitni udhën e Zotit; të drejta bëjini shtigjet e tij!’’’” (Marku 1:2-3). Me ato fjalë, Gjon Pagëzori u dha fund brezave të heshtjes. Pas shumë vitesh të gjata pritjeje, Perëndia u tregua besnik në mbajtjen e premtimeve të Tij, ashtu siç bën përherë. Ai dërgoi lajmëtarin e Tij dhe Mbretin e Tij, që të gjithë njerëzit të mund ta përjetonin bekimin e Tij — domethënë, përmbushjen e shpëtimit nëpërmjet Jezu Krishtit.
Në kohën tonë, populli i Perëndisë është ende në pritje. Ne e dimë se Jezusi ka ardhur; ne, gjithashtu, e dimë se Ai po vjen. Mbretëria e Perëndisë nuk ka mbërritur ende në gjithë plotësinë e saj të lavdishme. Prandaj, ne jemi një popull në pritje, në një botë që kërkon kënaqësi të menjëhershme; një popull në pritje, në një botë zhgënjimi të shpejtë.

Kur duket sikur Perëndia po e vonon përmbushjen e premtimeve të Tij në jetën tuaj, mos e humbni shpresën. Brez pas brezi, Ai ka dëshmuar se është besnik — dhe duke dërguar Jezusin, Ai paraqiti përmbushësin e çdo premtimi. Ju mund të preheni në qëndrueshmërinë e Tij. “Po”, thotë Jezusi, “po vij shpejt” (Zbulesa 22:20). Ai do ta bëjë atë që ka thënë.

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

II E PJETRIT 3:1-13