24 Mars 2026

“Por Izraeli e donte Jozefin më tepër se tërë bijtë e tij, sepse ishte biri i pleqërisë së tij; dhe i bëri një rrobë të gjatë deri te këmbët. Por vëllezërit e tij, duke parë që ati i tyre e donte më tepër nga të gjithë vëllezërit e tjerë, filluan ta urrejnë dhe nuk mund t’i flisnin në mënyrë miqësore.” ZANAFILLA 37:3-4

Favorizimi në marrëdhënie është marrëzi.

Këtë gjë e shohim gjatë gjithë historisë së popullit të Perëndisë në Besëlidhjen e Vjetër, mirëpo ndoshta kjo dallohet më qartë në jetën e Jozefit, sepse ai ishte objekt i vëmendjes së veçantë të babait të tij, Jakobit. Jozefi “ishte biri i pleqërisë së [Jakobit]” dhe i dashurisë së madhe të jetës së tij, Rakelës. Kështu, Jakobi, të cilit Perëndia ia kishte ndryshuar emrin në Izrael, e donte këtë bir më tepër se të tjerët. Nga kjo rrënjë favorizimi dolën shumë fryte të
këqija në këtë familje.

Jakobi e shprehu favorizimin e tij përmes një dhurate, një “rrobë të gjatë deri te këmbët”, të cilën ai e kishte bërë vetë. Dukej qartë që kjo ishte një shenjë favorizimi — të cilën nuk ka dyshim që Jozefit i pëlqente ta vishte. Kjo rrobë që ngjalli debat, provokoi armiqësi të fortë te vëllezërit e Jozefit. Nga armiqësia e tyre buroi ligësia dhe qëllimi vrastar. Në fund, ata shkuan aq larg, sa e shitën vëllanë e tyre në skllavëri dhe sajuan vdekjen e tij.

Nëse dhurimi i një palltoje mundi të nxiste një reagim të tillë, atëherë pa dyshim që problemi ishte shumë më i madh se vetë palltoja. Poshtë sipërfaqes duhet të ketë pasur mëkat të rrënjosur thellë. Pikërisht kjo është ajo që gjejmë te vëllezërit e Jozefit. Problemi i tyre nuk kishte të bënte aq shumë me faktin që palltoja ishte shumë e çmuar; kishte të
bënte me faktin që ajo e vendosi Jozefin në një klasë të ndryshme nga ata. Duke i dhënë atij këtë dhuratë, Jakobi e kishte ngritur Jozefin mbi vëllezërit e motrat e tij, dhe kjo gjë ua gërryente shpirtin. Zgjedhja e një të preferuari gjithmonë sjell me vete zgjedhjen e nënkuptuar të një të papreferuari. Kjo bëhet shkak për arrogancë dhe krenari tek i zgjedhuri si i preferuar dhe për pakënaqësi dhe hidhësi tek ata që nuk janë zgjedhur. Ju mund t’i keni parë përreth jush, madje edhe në jetën tuaj, efektet gërryese të të qenët të preferuar ose të të qenët të anashkaluar ngaqë nuk ju është dhënë ai status.

Jakobi duhej të kishte vepruar më mirë, pasi ai vetë kishte qenë objekt i favorizimit të panevojshëm — nëna e tij kishte preferuar atë dhe jo vëllanë e tij, Esaun, dhe kjo kishte çuar në kaos. Marrëdhënia e tij me Esaun, ashtu si marrëdhënia e Jozefit me vëllezërit e tij, u dëmtua për vite me radhë.

Megjithatë, le të mos jemi shumë të shpejtë për t’u distancuar nga mendësia dhe veprimet e Jakobit ose të bijve të tij, a thua se s’mund të jemi kurrë fajtorë për diçka të ngjashme. Të gjithë duhet të kemi kujdes nga marrëzia e favorizimit në marrëdhënie dhe nga tërbimi që shpesh e shoqëron atë. Njëanshmëria është një gabim i zakonshëm dhe i kuptueshëm, mirëpo ajo hedh hije të thella, të errëta, shkatërrimtare.

Në vend që thjesht të tundim kokën me mosmiratim ndaj marrëzisë së Jakobit, le të mësojmë prej saj. Çdo marrëdhënie është një dhuratë unike nga Perëndia. Në atë masë që shfaqim favorizim ndaj atyre që na rrethojnë, pavarësisht nga arsyeja, mund të jemi të sigurt se kjo do t’i prishë dhe do t’i shkatërrojë marrëdhëniet. Megjithatë, nëse e vlerësojmë çdo mik, çdo anëtar të familjes dhe çdo fqinj me dashuri dhe përzemërsi të dukshme, ne nderojmë Perëndinë dhe inkurajojmë zemrat e atyre që Ai ka vendosur rreth nesh.

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

ZANAFILLA 37