24 Janar 2026

“Po kush jam unë dhe kush është populli im që jemi në gjendje të të ofrojmë gjithçka vullnetarisht? Në të vërtetë të gjitha gjërat vijnë nga ti dhe ne të kemi kthyer thjesht atë që kemi marrë nga dora jote.” I I KRONIKAVE 29:14

Pak kohë më parë, disa anëtarë të personelit të kishës sonë vendosën të vinin ngjitëse kudo nëpër ndërtesë, të cilat shpallnin: “Kjo i përket kishës ‘Parkside’.” Fillimisht, pyesja veten nëse prisnim vërtet që dikush i cili donte të vidhte një kosh plehrash, ta kthente kokëposhtë, të lexonte ngjitësin dhe befas të vendoste ta kthente. Kjo dukej si ushtrim mjaft i pakuptimtë. Megjithatë, shpejt zbulova se në të vërtetë më pëlqente shumë t’i ktheja gjërat përmbys dhe të shikoja këto ngjitëse të vogla që shpallnin: “Kjo i përket kishës”!

Treguesit që na kujtojnë pronësinë e Perëndisë dhe furnizimin e Tij të hirshëm, jehojnë në të gjithë Shkrimin. Kur mbreti David u përfshi në hartimin e planeve për tempullin, ai e vuri në dukje me qartësi dhe përulësi provaninë e Perëndisë; ai e dinte që, si krijesa në një botë të krijuar, ne mund t’i japim Krijuesit tonë vetëm atë që na është dhënë tashmë prej tij. Edhe në Besëlidhjen e Re, apostulli Pal shkruan: “Dhe çfarë ke ti që nuk e more? Por edhe nëse e more, pse mburresh thua se nuk e ke marrë?” (I Korintasve 4:7).

Fjalët e Davidit nuk ishin një zbulesë e re për popullin e Perëndisë. Breza më parë, kur izraelitët po përgatiteshin për të ndërtuar tabernakullin, Moisiu i kishte udhëzuar izraelitët: “Merrni ndërmjet jush një ofertë të ngritur për ZOTIN” (Eksodi 35:5). Çfarë kishin ata mes tyre? Vetëm atë që u kishte siguruar Krijuesi. Vetëm atë që Shpenguesi i tyre u kishte dhënë atëherë kur dolën nga Egjipti (12:35-36). Vetëm atë që Mbështetësi i jetës së tyre ua kishte bërë të mundur që ta bënin (35:30-35).

 Ashtu si me pronën e kishës, që tani është etiketuar, mund të themi se gjithçka që kemi — në të vërtetë, gjithçka në krijim — është e vulosur me vulën e zotërimit të Perëndisë. Abraham Kuyper-i, teolog me shumë ndikim që shërbeu edhe si kryeministër i Holandës në fillim të shekullit të 20-të, tha: “Nuk ka asnjë centimetër katror në të gjithë fushën e ekzistencës sonë njerëzore mbi të cilën Krishti, i cili është Sovran mbi të gjithë, nuk shpall: ‘Imja!’”.

Kjo është një pikëpamje shumë e ndryshme nga ajo e kulturës sonë bashkëkohore, e cila priret drejt dy nocioneve të rreme: ose që ne jemi njerëz që e kemi bërë vetë veten tonë, ose që gjithçka mbi tokë, përfshirë edhe ne vetë, është perëndi. Bibla thotë se nuk është kështu: “ZOTIT i përket toka dhe të gjitha gjërat që janë në të, bota dhe banorët e saj” (Psalmi 24:1).

Perëndia po na thërret të ecim me përulësi ndërsa kujtojmë se gjithçka që kemi, vjen nga Ai. Vetë jeta jonë duhet të shpallë: “Unë i përkas Perëndisë!”. Nuk ka asgjë që mund t’ia ofrosh Perëndisë, e cila tashmë nuk është në zotërimin e Tij. Prandaj, jepni me dëshirë dhe bujari — para, kohë, talente — ashtu siç ju drejton Perëndia, si reagim ndaj hirit të Tij.

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

II KORINTASVE 8:1-15