23 Mars 2026

“Çdo dhurim i mirë dhe çdo dhuratë e përsosur është nga lart, duke zbritur nga
Ati i dritave, tek i cili nuk ka ndërrim apo hije ndryshimi.” JAKOBI 1:17

A keni shkuar ndonjëherë për të blerë një dhuratë dhe nuk e kishit idenë se për çfarë kishte nevojë ose dëshironte personi që do ta merrte dhuratën? Nuk e dinit se çfarë madhësie apo ngjyre ta blinit bluzën, ose nëse lodra e fëmijës ishte e përshtatshme për moshën e tij. Kështu, në fund, thjesht u dorëzuat të zhgënjyer dhe thatë: “Do të blej diçka!
Ata do ta kthejnë gjithsesi. Kush e vret mendjen?”.

Dhënia e dhuratave nuk është gjithmonë aq e lehtë apo e gëzueshme sa duhet të jetë. Realiteti është që edhe më të mirët prej nesh, nuk mund të bëjnë dhurata të përsosura çdo herë, sepse kemi të meta. Na mungojnë mprehtësia dhe njohuria, dhe ndonjëherë burimet apo edhe gatishmëria, për të dhënë dhuratën e duhur. Në këtë gjë, ne jemi krejtësisht të ndryshëm nga Perëndia, sepse Perëndia është dhuruesi i dhuratave të përsosura dhe vetëm i dhuratave të përsosura. Ai është i mirë spontanisht dhe prej Tij gufon bujaria. Ai jep pa pritur asgjë në këmbim dhe nuk e kufizon mirësinë e Tij bazuar në atë që meritojnë marrësit e dhuratës. Asnjë nga dhuratat e Tij nuk nevojitet që të kthehet mbrapsht.

Jo vetëm që Perëndia është bujar në mënyrë të përsosur, por kjo bujari nuk ndryshon kurrë. Edhe prindërve më të mirë tokësorë duhet t’u afrohemi në kohën dhe mënyrën e duhur, sepse ata mund të jenë të paqëndrueshëm. Fëmijët mësojnë të zgjedhin çastet e duhura. Kur isha adoleshent, e kisha të lehtë të lexoja gjuhën e trupit të babait teksa ai
ishte duke pritur telefonatën me kompaninë elektrike dhe mendoja: “Nuk jam i sigurt nëse tani është koha e duhur për të kërkuar dy goma të reja për makinën time.”

Megjithatë, me Atin tonë qiellor, nuk kemi pse të mendohemi nëse është mirë t’i afrohemi Atij. Ai nuk është as i paqëndrueshëm dhe as i shpejtë në zemërim. Ne mund të jemi të sigurt se Ai do të veprojë gjithmonë në mënyrën e duhur. Ne kurrë nuk do ta gjejmë Atë të pavetëdijshëm, të paaftë, të padisponueshëm ose të pavullnetshëm. Përmes Krishtit, Ai është i arritshëm dhe reagon ndaj lutjeve të zemrave tona dhe shqetësimeve tona të përditshme.

Ne jemi fëmijë të Perëndisë, dhe një nga mënyrat se si Ati ynë e shpreh dashurinë e Tij ndaj nesh është me anë të dhuratave të Tij të përsosura për ne. Prandaj, mirënjohja duhet të jetë tipar i secilit prej fëmijëve të Tij. Nëse e njohim karakterin e Atit tonë, si mund të tregojmë diçka tjetër përveç mirënjohjes — edhe atëherë kur dhuratat e Tij nuk janë ato që do të kishim zgjedhur vetë? Pra, kini kujdes që t’i numëroni bekimet tuaja, çdo ditë. Mos harroni se të gjitha gjërat e mira janë dhurata nga Ai. Sigurohuni t’i thoni Atij:

Perëndi, Ati im, e madhja besnik’ri
S’ka asnjë hije ndryshimi tek Ti…
Çdo nevojë timen Ti ke plotësuar —
E madhja besnik’ri, Zot, më je Ti!

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

PSALMI 103