23 Janar 2026

“Dhe gjithçka, çfarëdo gjëje që të bëni në fjalë apo në vepër, t’i bëni të gjitha në emër të Zotit Jezus, duke e falënderuar Perëndinë Atë nëpërmjet tij.” KOLOSIANËVE 3:17

Sot, ju dhe unë kemi punë për të bërë.

Në letrën e parë që u drejtoi korintasve, kur apostulli Pal e udhëzoi kishën që ta mirë priste Timoteun me ngrohtësi në komunitetin e tyre, kjo nuk ishte ngaqë Timoteu po për piqej të fitonte famë, se kishte ndonjë titull ose pozitë nderi, ose se po kërkonte të binte në sy. Jo, ishte thjesht ngaqë Timoteu po bënte “punën e Zotit” (I Korintasve 16:10).

Puna e Zotit është gjithçka mbi të cilën mund të vendosim duart ose të përqendrojmë mendjen, gjë që është e pëlqyeshme për Perëndinë, ndërkohë që punojmë për të, në vend që t’u bëjmë përshtypje të tjerëve (Kolosianëve 3:23). Kjo mund të jetë brenda trupit të Krishtit ose në shërbim ndaj botës përreth nesh. 

Në vargun 17, Pali e përfshin qëllimisht frazën “çfarëdo gjëje që të bëni”. Aspekti “çfarëdo gjëje” i shërbesës së krishterë do të thotë që, në të gjitha përpjekjet tona, me ndihmën e Frymës së Shenjtë, duhet të përpiqemi të pozicionohemi për t’u përfshirë efektshëm në shërbesën e ungjillit. Pavarësisht nëse ndihmojmë një fqinj, përshëndesim vizitorët që vijnë në kishën tonë, ose jemi vullnetarë në komunitet, çdo lloj shërbimi është një mundësi për t’i drejtuar të tjerët te Shpëtimtari ynë. Çfarë privilegji është të dimë se u vendosëm këtu mbi tokë për t’u përfshirë në një mision, që t’i shohim njerëzit jobesimtarë të bëhen ndjekës të përkushtuar të Jezu Krishtit!

Brenda trupit të Krishtit, duhet ta pranojmë se rritja jonë frymërore është rezultat i shërbimit të të tjerëve ndaj Zotit. Pali me të drejtë i pa korintasit si rezultat të punës së tij në emër të Krishtit, duke shkruar: “A nuk jeni ju vepra ime në Zotin?” (I Korintasve 9:1). Vetë ekzistenca e kishës në Korint ishte dëshmi e faktit që apostulli po bënte punën e Zotit. Pali nuk ishte as i parëndësishëm dhe as i pazëvendësueshëm; përkundrazi, ai u caktua qëllimisht në një përgjegjësi specifike.

Si të krishterë, ne jemi thirrur jo thjesht që të ulemi dhe të mësojmë, por që të rritemi dhe të shkojmë, të peshkojmë dhe të ushqejmë. Perëndia e cakton çdo besimtar në përgjegjësi të veçanta brenda shërbesës dhe shërbimit të krishterë, dhe ato përgjegjësi përfshijnë të punuarit për Të në çfarëdo rrethane dhe mundësie që na vjen sot; sepse ato nuk vijnë rastësisht, por sipas qeverisjes hyjnore. Pali na e modeloi këtë në mënyrë të admirueshme nëpërmjet bindjes së tij ndaj thirrjes së Perëndisë, duke dalluar se ai ishte “një mjet i zgjedhur” që do ta mbartte emrin e Perëndisë “qoftë përpara kombeve dhe mbretërve, qoftë përpara bijve të Izraelit” (Veprat e Apostujve 9:15).

Vepra e Zotit ishte diçka të cilën Pali e mori seriozisht. Edhe ne duhet ta marrim seriozisht. Të gjithë jemi thirrur për të nderuar Perëndinë kudo që të jemi. Mendoni se çfarë mund të ndryshojë në mënyrën se si mendoni dhe çfarë bëni nëse në çdo çast do të pyesnit veten: “Tani, çfarë do të donte Jezusi që të bëja këtu? Si mund ta lavdëroj emrin e Tij dhe t’i sjell Atij kënaqësi në këtë çast?”. Sot, ju keni privilegjin të keni një punë për të bërë për Të.

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

PSALMI 127