“Ata nuk do të mësojnë secili të afërmin e vet dhe secili vëllanë e vet,
duke thënë: ‘Njihni ZOTIN!’, sepse të gjithë do të më njohin, nga më i vogli
e deri te më i madhi, thotë ZOTI.” JEREMIA 31:34
Në ditët e profetit Jeremia, Perëndia nuk pranoi ta prishte besëlidhjen që kishte bërë me popullin e Tij. Megjithatë, pavarësisht nga dashuria e Tij e palëkundur, populli i Perëndisë vazhdoi të mëkatonte. Ky ishte një problem: si mund t’i përmbushte Perëndia premtimet që kishte bërë për ta bekuar popullin e Tij, kur ata tregonin vazhdimisht pabesi ndaj Tij?
Si pjesë të planit të Tij madhështor, Perëndia premtoi një besëlidhje të re — një vepër rikrijimi të brendshëm. Siç shkruan edhe teologu Alec Motyer: “Kur populli i tij nuk e arrin dot lartësinë e standardeve të tij, Zoti nuk i ul standardet për t’iu përshtatur aftësive të tyre; ai transformon popullin e tij.”
Kjo besëlidhje e re është qëllimi dhe premtimi i Perëndisë për t’i rilindur zemrat nëpërmjet gjakut të Zotit Jezus. Ai i merr zemrat tona dhe u jep atyre formën e përsosur — si puna e një cope në lojërat formuese — në mënyrë që ligji i Tij të bëhet kënaqësi për ne.
Në deklaratën e Perëndisë për këtë besëlidhje të re, folja “njoh” është çelës. Në hebraishten origjinale, kuptimi i saj është i qartë që në fillim të Zanafillës: thënia e drejtpërdrejtë se Adami “njohu” gruan e tij dhe ata lindën fëmijë (Zanafilla 4:1) tregon nivelin e intimitetit që përcjell kjo fjalë. Perëndia po thotë se, kur populli i Tij të arrijë ta kuptojë dashurinë e Tij, ata nuk do të bëjnë thjesht studime biblike nga larg; ata do të jenë njerëz që e njohin
vërtet Perëndinë.
Atë për të cilën Jeremia foli në kohën e ardhme, ne mund ta shijojmë në të tashmen; sepse midis profecisë së tij dhe kohës sonë, Zoti Jezus ngriti një kupë me verë natën para se të vdiste dhe shpalli: “…Kjo kupë është besëlidhja e re në gjakun tim që derdhet për ju” (Luka 22:20). Për shkak të hirit të Perëndisë, ju dhe unë mund të njohim Mbretin e
mbretërve dhe Zotin e zotërve. Jo vetëm kaq, por Ai e di edhe emrin e secilit prej nesh, individualisht; Ai i di nevojat tona dhe është i përkushtuar ndaj mirëqenies sonë. Jezusi i mban emrat tanë përpara Atit — dhe për shkak të gjithë sa Ai është dhe gjithë sa ka bërë, emrat tanë janë shkruar në Librin e Jetës.
Çfarë mbreti është ky? Përgjigjja është përtej aftësisë sonë për ta kuptuar plotësisht. Një ditë, ne do ta shohim Atë ballë për ballë dhe do të kuptojmë shumë më tepër se sot. Megjithatë, sot mund të jetoni me sigurinë që vjen nga të diturit se e njihni Perëndinë që ju shpengoi nëpërmjet Birit të Tij, i cili banon dhe vepron në ju me anë të Frymës së Tij, para fronit të të cilit do të qëndroni një ditë.
