22 Mars 2026

“Atëherë Juda, si mori kohortën romake dhe roja prej kryepriftërinjve e prej farisenjve, erdhi aty me fenerë dhe pishtarë, dhe me armë. Atëherë Jezusi, duke i ditur të gjitha ato që do të vinin mbi të, doli dhe u tha: ‘Kë kërkoni?’. Ata iu përgjigjën: ‘Jezus nazaretasin’. Jezusi u tha: ‘Unë jam!’ …ata u zmbrapsë dhe ranë përdhe.” GJONI 18:3-6

Të gjithë shkrimtarët e Ungjijve mbulojnë ngjarje të ngjashme nga jeta e Jezusit, por secili nxjerr në pah hollësi dhe aspekte të veçanta të identitetit të Tij. Një nga synimet e Gjonit ishte të vendoste epërsinë dhe fitoren e Jezusit mbi rrethanat që kishin për qëllim ta ulnin dhe ta poshtëronin Atë. Mendoni për arrestimin e Jezusit në Kopshtin e Gjetsemanit: Ai u dorëzua me dëshirë, por duke e zbuluar me autoritet madhështinë e Tij si Shpëtimtar i botës. Njëherë, njerëzit ishin përpjekur ta bënin Jezusin mbret me zor dhe Ai ishte tërhequr, ngaqë e dinte se mbretërimi në botë nuk ishte “fati” i Tij (Gjoni 6:15). Prandaj, kur ushtarët erdhën për ta detyruar që të mbante kryqin, Ai e dinte gjithçka që do të ndodhte. Sigurisht, ata prisnin ta kërkonin gjithandej këtë marangoz famëkeq nga Galileja. Përkundrazi, ja ku ishte Ai, duke iu dorëzuar atyre me dëshirë, me një madhështi në zërin e Tij, një vështrim në sytë e Tij dhe një autoritet rreth personit të Tij, dhe këto kontribuuan në seriozitetin e këtij çasti. Nuk është çudi që ata “u zmbrapsën dhe ranë përdhe”.

Kur Jezusi iu dorëzua atyre që do ta trajtonin si blasfemues dhe kriminel, Ai nuk e mohoi se kush ishte. Përkundrazi, Ai përdori një gjuhë që komunikonte identitetin dhe autoritetin e Tij hyjnor. Jezusi përdori frazën “Unë jam” jo vetëm për t’u treguar ushtarëve se Ai ishte Jezusi i Nazaretit, por edhe për ta identifikuar Veten si Ai që i ishte shfaqur Moisiut në ferrishten që digjej (Eksodi 3:14). Kjo ishte e njëjta frazë të cilën e kishte shqiptuar muaj më parë, dhe për pak sa nuk e kishin vrarë me gurë (Gjoni 8:58-59), sepse kjo ishte një deklaratë e qartë se Ai ishte Perëndia i gjallë dhe vetekzistues.

Ja tek është ky Perëndi, që del përpara për të mos i lejuar miqtë e Tij që të bëjnë rezistencë dhe për t’i lejuar armiqtë e Tij që ta vrasin. Pse? Ndërsa Krishti doli përpara në kopsht, Ai jo vetëm që po i mbronte dishepujt e Tij, por, gjithashtu, po siguronte për njerëzit e Tij. Ai doli përpara si zëvendësuesi i njerëzve mëkatarë, si përmbushja e gjithçkaje që pritej prej kohësh. Ai e dinte saktësisht se çfarë e priste: “Sepse edhe Krishti vdiq një herë për mëka-
tet, i drejti për të padrejtët, që t’ju sjellë te Perëndia…” (I e Pjetrit 3:18).

Në ndërthurjen e Tij të dorëzimit të vullnetshëm dhe të autoritetit hyjnor, Krishti hodhi hapin tjetër drejt kryqit, ku flijimi i Tij fitoi shpëtimin tonë. Ai nuk u largua nga kryqi, por eci me vendosmëri drejt tij. Dhe këtë Ai e bëri për ty.

Vërtet kjo është mrekulli,
Aq sa vështirë ta besoj,
Që Biri Yt nga qielli të vijë,
E të vdesë për të dhënë shpëtim.

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

GJONI 18:1-14