22 Janar 2026

“Dhe u bë një furtunë e madhe ere, dhe dallgët përplaseshin mbi varkën, saqë tashmë varka po mbushej me ujë. …dhe ata e çuan, dhe i thanë: ‘Mësues, nuk merakosesh ti që po humbasim?’. Dhe si u zgjua, qortoi erën dhe i tha detit:  ‘Hesht! Pusho!’…” MARKU 4:37-39

Kushdo që ka jetuar për shumë vjet, e di se stuhitë në jetë do të vijnë me siguri. Ndonjëherë, madje krejt papandehur, përballemi me humbjen e papritur të punës, me një diagnozë jo të mirë, me vdekjen e dhimbshme të një njeriu të dashur ose me pikëllimin e lamtumirës. Ashtu si dishepujt që i kapi stuhia në Detin e Galilesë, edhe neve mund të na duket sikur këto sprova na kanë vënë poshtë, sikur varka jonë po fundoset.

Ndjekja e Jezusit nuk na izolon nga stuhitë e jetës, por ne mund të ngushëllohemi duke ditur se Perëndia premton të na mbajë fort përmes tyre. Ai mund t’i qetësojë zemrat tona, dhe madje mund t’i qetësojë edhe vetë stuhitë.

Kur vijnë stuhitë, ne shpesh tundohemi të dyshojmë në Perëndinë. Dishepujt dyshuan në Jezusin, edhe pse i kishin parë nga afër mrekullitë e Tij. Ata e panë Jezusin në sy dhe e thyen bukën me Të çdo ditë — por kur stuhia shpërtheu, ata i pushtoi paniku i mosbesimit, sikur të kishin harruar se kush ishte Ai ose çfarë ishte në gjendje të bënte.  A nuk e gjejmë edhe ne shpesh veten në një gjendje të tillë? Sapo vjen stuhia — sapo shpërthejnë erërat dhe dallgët e jetës — atëherë shpërthejnë edhe dyshimet dhe dobësitë tona, dhe harroj më se kush është Ai që banon brenda nesh dhe se çfarë është në gjendje të bëjë.

Perëndia nuk e pengon ardhjen e stuhive. Mirëpo Ai është një Perëndi i cili është njëkohësisht i pranishëm në mes të tyre dhe sovran përmbi to. Jezusi jo vetëm që qëndroi me dishepujt gjatë stuhisë, por Ai shfaqi fuqinë e Tij duke e qetësuar atë. Si Perëndi, Ai e kishte krijuar vetë detin. Pse do të ishte deti një problem për Të vallë? Njësoj edhe për ne, rrethanat që duken si të pashpresa dhe të pakapërcyeshme, shpalosen pikërisht ashtu siç ka planifikuar Ai. Kur vështirësitë, frika dhe dhimbja vazhdojnë, ne mund t’i besojmë Atij që të na japë paqen që “tejkalon çdo aftësi të mendjes” (Filipianëve 4:7) dhe të na kalojë përtej stuhisë, në një vend qetësie, pavarësisht nëse kjo ndodh në këtë jetë apo vetëm përtej stuhisë së fundit të vdekjes.

Prandaj, pyetja nuk është “A do të vijnë stuhitë në jetën time?”. Sigurisht që do të vijnë. Përkundrazi, ne duhet të pyesim: “Kur stuhitë të vijnë, a do të besoj se Jezu Krishti është në gjendje për t’i trajtuar ato — dhe, a do ta lejoj Atë që ta bëjë këtë gjë?”. Ai mund t’i largojë retë e dyshimit që na e mjegullojnë mendjen. Ai mund t’i shërojë zemrat e thyera. Ai mund t’i qetësojë ëndjet tona për dashuri. Ai mund t’i rigjallërojë shpirtrat e lodhur. Ai mund t’i qetësojë shpirtrat e shqetësuar.

Kur e shihni Jezusin si Krijuesin e gjithësisë, si Atë që qetësoi detin dhe Atë në të cilin të gjitha qëndrojnë bashkë, atëherë edhe ju mund të përjetoni qetësimin e stuhisë.

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

MARKU 4:35-41