“Dhe si i thirri pranë, Jezusi u tha: ‘Ju e dini se ata që mbahen se sundojnë kombet,
ushtrojnë zotërim mbi to dhe të mëdhenjtë e tyre ushtrojnë pushtet mbi to.
Por nuk është kështu ndër ju…’” MARKU 10:42-43
Një nga gënjeshtrat e mëdha, e pranishme pothuajse në çdo brez, është se populli i Perëndisë do t’i arrijë më mirë të afërmit e tyre jobesimtarë nëse duken, flasin, veprojnë dhe jetojnë sa më shumë si ata. Besëlidhja e Re nuk e mbështet këtë, as historia e kishës. Përkundrazi, historia dëshmon për atë që na mëson Bibla — domethënë që populli i Perëndisë është gjithmonë më i efektshëm në një kulturë të huaj, atëherë kur, si nga veprat, ashtu dhe mënyra e jetesës, ata kanë një qëndrim qartësisht të kundërt me kulturën mbizotëruese përreth tyre (I e Pjetrit 2:11-12).
Pak përpara këtyre fjalëve të Jezusit, Jakobi dhe Gjoni, “Bijtë e bubullimës”, shkuan tek Ai për të kërkuar një favor: ata donin vendet e nderit në mbretërinë e Tij (Marku 10:35-45). Megjithatë, kjo dëshirë nuk lindi nga besnikëria, por nga ambicia e mirëfilltë, e cila ishte e ngjashme me ambicien e sundimtarëve romakë të asaj kohe, të cilët kërkonin vetëpromovim.
Jezusi nuk u rezervua në përgjigjen e Tij. Gjuha e Tij ishte radikale. Dishepujt ishin pasuesit e Tij dhe ata duhej të ishin ndryshe. Ata duhej të kuptonin se, në mbretërinë e Perëndisë, rruga drejt madhështisë është në të vërtetë shtegu drejt përulësisë. Nderi gjendet në dhënien e tij, jo në marrjen. Madhështia shfaqet në shërbim, dhe jo në të qenët i shërbyer. Shembulli më i madh i këtij parimi është Vetë Jezusi, “i cili, edhe pse duke qenë në formë të Perëndisë, nuk e çmoi si një gjë që mbahet fort të qenët barabar me Perëndinë, por e zbrazi vetveten, formë të një skllavi duke marrë, në ngjashmëri të njerëzve duke u bërë. Dhe duke u gjendur në trajtë si njeri, ai e përuli vetveten duke u bërë i bindur deri në vdekje, madje në vdekje kryqi” (Filipianëve 2:6-8).
Kjo është sfiduese, sepse ne jetojmë në një kulturë që preokupohet për vetëvlerësimin, vetëmadhërimin dhe statusin e vetëfituar. Megjithatë, nëse rrëfejmë se jemi ndjekës të Jezusit, fjalët e Tij këtu na kujtojnë se ne nuk duhet të karakterizohemi nga kultura, por nga Ai.
Ne priremi të kemi një preokupim të pashëndetshëm për të na konsideruar si të rëndësishëm, si të mençur nga ana intelektuale dhe të pranueshëm nga shoqëria. Kur ka qenë ndonjëherë kjo një strategji e efektshme për punën e ungjillit? Zgjedhja është e qartë: ose do të bëjmë atë që thotë Jezusi, ose do të bëjmë atë që thotë kultura.
Ne nuk duhet ta zbutim forcën e fjalëve të Jezusit dhe as masën e sfidës së Tij. Por as nuk kemi pse të dëshpërohemi, sepse mund të inkurajohemi me faktin që, më në fund, Gjoni e kapi si duhet. Afër fundit të jetës së tij, ai shkroi: “Prej kësaj e kemi njohur dashurinë: se ai dha jetën e vet për ne; edhe ne e kemi për detyrë të japim jetën për vëllezërit” (I e Gjonit 3:16). Dëgjojeni këtë fjalë të hirit që na e prish rehatinë — “nuk është kështu ndër ju” — dhe përshtatuni me shëmbëllimin e Jezusit, duke qenë të gatshëm për të hequr dorë nga të
drejtat tuaja dhe nga reputacioni juaj në shërbim dhe dashuri.
