21 Mars 2026

“Perëndia, si u foli së lashti etërve në shumë pjesë dhe në shumë mënyra, në profetët,
në këto ditë të fundit na foli në Birin, të cilin e vuri trashëgimtar të të gjitha gjërave
dhe nëpërmjet të cilit edhe bëri gjithësinë.” HEBRENJVE 1:1-2

Ka shumë mënyra për ta përshkruar kohën në të cilën jetojmë: epoka e shekullit të 21-të, postmoderne, e globalizuar, teknologjike. Por e thënë thjesht dhe qartë, ne jetojmë në “ditët e fundit”. Kjo frazë mund të tingëllojë shumë e çuditshme ose emocionuese, në varësi të familjaritetit që kemi me të.

Në të vërtetë, mund të ketë pështjellim të madh rreth idesë së “ditëve të fundit”. Besëlidhja e Re e përdor këtë frazë thjesht për të përshkruar kohën mes ardhjes së parë dhe të dytë të Jezusit. Jezusi ka ardhur dhe Jezusi do të vijë, dhe ne jetojmë mes këtyre dy etapave të mëdha në historinë e shpëtimit. Shfaqja e tij e parë e solli mbretërinë e Tij mbi tokë dhe i inauguroi “ditët e fundit” si një realitet aktual. Jeta, vdekja, ringjallja dhe lartësimi i Tij, të gjitha tregojnë për Frymën e Perëndisë në veprim — dhe nëse Fryma e Perëndisë është në veprim, Jezusi na mëson se “atëherë arriti te ju Mbretëria e Perëndisë” (Mateu 12:28).

Prandaj, Jezusi flet në kohën e tashme kur e fton një turmë njerëzish që ta “pranojë Mbretërinë e Perëndisë” (Marku 10:15; Luka 18:17). Ai nuk po flet për hyrjen në një sferë të ardhshme, por në një realitet të tanishëm — në sundimin dhe mbretërimin aktual të Vetë Jezusit.

Prandaj, mbretëria është tani. Mirëpo mbretëria është gjithashtu edhe në të ardhmen: diçka që ne presim me padurim në të ardhmen, e cila do të inaugurohet plotësisht me kthimin e Zotit Jezus. Në ardhjen e Tij të dytë, Jezusi do ta vendosë plotësisht mbretërinë e Tij. Në atë kohë, Ai do t’i mirëpresë besimtarët duke u thënë: “…trashëgoni mbretërinë që ka qenë përgatitur për ju që nga themelimi i botës” (Mateu 25:34) dhe “vendi do të mbushet me njohurinë e ZOTIT, ashtu si ujërat mbulojnë detin” (Isaia 11:9). Mbretëria që erdhi për herë të parë me Mbretin e saj në të kaluarën, do të vijë plotësisht me të gjithë përsosmërinë dhe lavdinë e saj në të ardhmen.

Prandaj, i krishteri jeton në këtë dimension të ndërmjetëm, të quajtur “ditët e fundit”. Ata që janë në Krishtin, i përkasin krijimit të ri, mirëpo ata ende nuk i kanë marrë të gjitha përfitimet dhe bekimet e atij krijimi të ri. Ndërkohë, besimtarët jetojnë në epokën e tanishme, në një botë të rënë, të karakterizuar nga mëkati, duke pritur me padurim epokën që do të vijë.

Atëherë, pse duket kaq e gjatë koha midis ardhjes së parë dhe asaj të dytë të Krishtit? Pse kjo vonesë? Sepse Perëndia e ka vonuar qëllimisht kthimin e Jezusit, në mënyrë që më shumë njerëz të kenë mundësinë për të dëgjuar fjalët që ka thënë Ai, për t’u penduar dhe për të besuar (II e Pjetrit 3:9). Ditët e fundit janë ditët e mundësisë për të hyrë në mbretëri përpara se dera të mbyllet.

Meqë e dimë se në cilën epokë jetojmë dhe se ardhja e kujt do t’i japë fund asaj, “çfarë lloj njerëzish duhet të [jemi]” (II e Pjetrit 3:11). Në Shkrim na thuhet: “…përpiquni që të gjendeni prej tij në paqe, të panjollosur dhe të patëmetë. Dhe durimin e Zotit tonë çmojeni si shpëtim…” (v. 14-15). Me fjalë të tjera, nëse “ditët e fundit” përfundojnë sot dhe Zoti Jezus kthehet në lavdinë e Tij, sigurohuni që t’ju gjejë duke jetuar në një mënyrë
që e kënaq Atë dhe duke u përpjekur të gjeni mënyra për të thënë fjalë që e shpallin Atë.

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

LUKA 17:20-37