“Se shumë po ecin, ata për të cilët shpeshherë ju thosha juve dhe tani e them edhe duke qarë, si armiqtë e kryqit të Krishtit, fundi i të cilëve është shkatërrim, perëndia i të cilëve është barku dhe lavdia e të cilëve është në turpin e tyre; këta janë ata që mendojnë gjërat tokësore. Se qytetaria jonë është në qiej, prej nga presim me padurim edhe Shpëtimtarin, Zotin Jezu Krisht, i cili do t’i ndërrojë trajtë trupit të ultësisë sonë, që të jetë i një forme me trupin e lavdisë së tij…” FILIPIANËVE 3:18-21
“Ne nuk jemi prej këtej.” Kështu mund të kenë thënë banorët e Filipisë — qytetit grek të shekullit të parë — madje edhe ata që kishin lindur atje, sepse jetonin sipas ligjeve romake, mbanin veshje romake dhe i shkruanin dokumentet e tyre në latinisht. Ata ishin qytetarë romakë. I gjithë ai vend dukej si Roma — por nuk ishte Roma. Qytetarët e Filipisë ndodheshin në Greqi, mirëpo jetonin si qytetarë të Romës.
Pali u tha atyre se të qenët i krishterë është e ngjashme me këtë: ne po e jetojmë jetën e krishterë ndërkohë që jemi larg kryeqytetit të krishterë — dhe do të ndiheni të lehtësuar të mësoni që nuk është Washington DC apo Londra! “Shkallët e vërteta të Kapitolit” janë shumë më të larta dhe shumë më madhështore. Qytetaria jonë është në qiej, dhe atëherë kur të jetojmë si të huaj këtu — si njerëz që nuk i përkasin këtij vendi — do të sjellim ndryshim në botën përreth nesh.
Si të krishterë, përditë kemi një mundësi të madhe për të nisur një ditë të re dhe për të qenë ndryshe — për të qenë ata që jemi: qytetarë të qiellit, njerëz që nuk janë prej këtu. Ne duhet t’i dëgjojmë njerëzit të thonë: “Hej, arrij ta dalloj nga mënyra se si ecën dhe flet që ka diçka ndryshe te ti.” Kjo do të thotë që, kur mendon për jetën tënde, duhet t’i bësh vetes disa pyetje: Cili është objekti i përkushtimit tim, gjëja që më gjallëron dhe që e motivon ekzistencën time? A është pamja ime? A është portofoli im? A është pasioni dhe kënaqësia? Për çfarë po jetoj?
Bibla na paralajmëron që, nëse jetojmë për të gëzuar “një shijim të përkohshëm të mëkatit” (Hebrenjve 11:25), në fund, ai do të na përpijë dhe do të na e marrë jetën. Përkundrazi, ne duhet të jetojmë duke pritur lavdinë e ardhshme. Ne do të transformohemi; do të kemi trupa të rinj, të një forme “me trupin e lavdisë së tij”. Trupat tanë qiellorë nuk do të dobësohen nga mëkati, nga dëshira egoiste ose nga shpërbërja. Një ditë do të jemi në shtëpi dhe kjo do të jetë e mrekullueshme!
Nëse, kur shohin jetën tuaj dhe dëgjojnë fjalët tuaja, njerëzit e vënë në dyshim faktin që keni një qytetari qiellore, që i shërbeni një Perëndie të gjallë dhe që mezi prisni të shkoni në shtëpi, ku jeta juaj do të transformohet krejtësisht, atëherë, herët a vonë, disa prej tyre do t’ju kërkojnë që t’u jepni “arsye rreth shpresës që është në ju” (I e Pjetrit 3:15).
Prandaj, mos harroni se nga jeni. Ndikimi i ungjillit, nën hirin e Perëndisë, lidhet drejtpërdrejt me gatishmërinë tuaj për të jetuar si Krishti. Lëreni mrekullinë e qytetarisë suaj qiellore t’ju bëjë të ndjeshëm dhe të dhembshur, ndërsa lëvizni mes atyre që janë “armiqtë e kryqit” (Filipianëve 3:18). Krishti do të kthehet — dhe kur Ai të kthehet, do të ketë mbërritur dita kur do të arrini në shtëpi. Nëse kjo ditë nuk është sot, atëherë e sotmja është një mundësi për të qenë ndryshe. Si do ta shfrytëzoni këtë mundësi?
