20 Shkurt 2026

“Mos u shqetësoni për asgjë, por në gjithçka, me anë të lutjes dhe përgjërimit
me falënderim, të bëhen të njohura kërkesat tuaja para Perëndisë. Dhe paqja e
Perëndisë, që tejkalon çdo aftësi të mendjes, do të ruajë zemrat tuaja
dhe mendimet tuaja në Krishtin Jezus.” FILIPIANËVE 4:6-7

Nëse do t’ju kërkoja që t’i shkruanit të gjitha gjërat për të cilat jeni shqetësuar këtë javë, apo edhe sot, mendoj se do të bëni një listë mjaft të gjatë. E di se lista ime do të jetë e tillë. E megjithatë, fjala e Perëndisë na thotë: “Mos u shqetësoni për asgjë.” Prandaj, si duhet të reagojmë kur ndihemi sikur po na merret fryma në një betejë me shqetësimin?

Pali thotë se kundërhelmi për shqetësimin mbytës është lutja dhe falënderimi. Ky nuk është një reagim i natyrshëm. Në fakt, kjo shkon drejtpërdrejt kundër prirjeve të zemrave tona mëkatare. Shumica prej nesh e kanë shumë herë më të lehtë të tërhiqen në një cep dhe të ankohen, ose t’u kthehen e rikthehen rrethanave shqetësuese në përpjekje për t’i kontrolluar ato, në vend që t’i çojnë para Perëndisë në lutje ato çështje që i mbushin me shqetësim. Sa e lehtë — dhe sa e pafrytshme — është të zgjedhim të ulemi dhe të vlojmë përbrenda, duke lejuar që shqetësimi të na paralizojë, në vend që të gjunjëzohemi dhe t’i këlthasim Atij!

Lutja e heq qafe pyetjen “Si do ta përballoj këtë?”, duke na larguar nga vetja dhe duke na drejtuar te furnizimi i Perëndisë. Lutja e kthen përqendrimin tonë drejt Perëndisë, i cili është plotësisht i aftë, i cili i njeh nevojat tona nga afër dhe do të na japë ose atë që kërkojmë, ose diçka më të mirë sesa mund ta përfytyrojmë. Prandaj, një zemër mirënjohëse na ndihmon që të ballafaqohemi pa hidhërim me pyetjen “Pse më ka ndodhur mua kjo gjë?”, duke na ndihmuar të kujtojmë premtimet e Perëndisë. Ai vepron gjithmonë me qëllim, e përmbush planin e Tij dhe e di saktësisht se çfarë po bën. Disa prej nesh kishin prindër të cilët shërbenin si orë me zile kur jetonin në shtëpinë e tyre. Kur na duhej të zgjoheshim në një orë të caktuar në mëngjes, e vetmja gjë që duhej të bënim ishte t’i thoshim babit ose mamit, dhe ishim të sigurt që ata do të na zgjonin. Na mbetej thjesht që të flinim! Ky është lloji i reagimit që Pali dëshiron të tregojmë përballë shqetësimit. Ne duhet të shkojmë drejt e tek Ati ynë qiellor dhe të themi: “A mund të kujdesesh për këtë gjë?”. Dhe Perëndia gjithmonë përgjigjet: Kujdesem unë. Më beso mua.

Kur të kuptojmë se Perëndia e ka gjithçka nën kontroll, ne do t’ia çojmë Atij të gjitha betejat dhe sfidat tona. Paqja që Ai siguron, do të jetë një kështjellë për zemrat tona.

Edhe pse telashet na sulmojnë dhe rreziqet na tmerrojnë,
Edhe pse miqtë e ngushtë mund të na lënë në baltë dhe armiqtë të bëhen bashkë,
Prapëseprapë e kemi një siguri, çfarëdo që të ndodhë,
Premtimi na jep zemër: “Zoti do të sigurojë.”

Prandaj, përse të mos e shkruani listën e gjërave për të cilat jeni shqetësuar këtë javë? Pastaj lutuni për to, duke i çuar ato situata para fronit të qiellit dhe duke i lënë atje. Më pas, përkrah çdonjërës prej tyre mund të shkruani atë që ju thotë Perëndia: Kujdesem unë. Më beso mua.

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

I E PJETRIT 5:6-11