“…duke u fuqizuar me çdo fuqi, sipas pushtetit të lavdisë së tij, për çdo qëndresë
dhe durim, me gëzim, duke e falënderuar Atin që ju bëri të përshtatshëm
për pjesën e shortit të shenjtorëve në dritë.” KOLOSIANËVE 1:11-12
Pothuajse të gjithë e vlerësojnë një dhuratë të mirë. Familja, liria, koha e lirë, një shtrat i ngrohtë dhe një pije freskuese, të gjitha këto krijojnë një zemër mirënjohëse dhe të gjithë ne jemi natyrshëm në gjendje për të shprehur të paktën njëfarë mirënjohjeje për to. Fjalën “faleminderit” e mësojmë që të vegjël.
Udhëheqësi amerikan i rizgjimit, Jonathan Edwards-i, bëri një dallim të dobishëm mes atyre që ai iu referua si “mirënjohje natyrore” dhe “mirënjohje e hirshme”. Mirënjohja natyrore fillon me gjërat që na jepen dhe përfitimet që i shoqërojnë ato. Çdokush është i aftë për të treguar këtë lloj mirënjohjeje. Megjithatë, mirënjohja e hirshme është shumë e ndryshme dhe atë mund ta përjetojnë dhe ta shprehin vetëm fëmijët e Perëndisë. Mirënjohja e hirshme e dallon karakterin, mirësinë, dashurinë, fuqinë dhe përsosurinë e Perëndisë, pavarësisht nga çdo dhuratë ose kënaqësi që Ai ka dhënë. Ajo e di se kemi arsye për të qenë mirënjohës ndaj Perëndisë, pavarësisht nëse dita është e mirë apo e keqe, nëse jemi të punësuar apo të papunë, nëse lajmet e përditshme janë optimiste apo dërrmuese, nëse jemi plotësisht të shëndetshëm apo përballemi me një diagnozë pa shpresë. Një mirënjohje
e tillë zbulohet vetëm me anë të hirit dhe është një shenjë e vërtetë e Frymës së Shenjtë në jetën e dikujt. Mirënjohja e hirshme na jep forcën për të përballuar çdo gjë me vetëdijen se Perëndia është thellësisht i përfshirë në jetën dhe rrethanat tona, sepse Ai na ka bërë objekte të veçanta të dashurisë së Tij.
Kur Jonathan Edwards-i vdiq si pasojë e një vaksinimi kundër lisë, Sara, gruaja e tij, i shkroi vajzës së tyre: “Çfarë të them? Një Perëndi i shenjtë dhe i mirë na ka mbuluar me një re të errët.” Vini re sinqeritetin në këto fjalë. Nuk ka triumfalizëm sipërfaqësor. Mirëpo burri i saj nuk vdiq rastësisht; ishte sovraniteti mbizotërues i Perëndisë ai që përcaktoi kohën e duhur për ta çuar Jonathanin në shtëpinë e shpërblimit të tij të përjetshëm. Dhe kështu Sara vazhdoi: “Por Perëndia im jeton; dhe zemra ime i përket Atij… Ne të gjithë i përkasim Perëndisë: atje jam dhe atje dua të jem.”.
Në mes të pikëllimit, nuk do të mund të shqiptojmë dot kurrë fjalë të tilla nga mirënjohja e natyrshme, e cila nuk mund të na ndihmojë në kohë humbjeje. Një reflektim i tillë mund të rrjedhë vetëm nga mirënjohja e hirshme. Mund të jeni duke u përballur me rrethana të vështira apo edhe zemërthyese në këtë kohë; edhe nëse jo, ajo ditë do të vijë dikur, sepse kjo është një botë e rënë. Por në ato çaste, ju mund të kapeni pas dashurisë së Perëndisë dhe të zgjidhni t’i besoni mirësisë së Tij, e cila është shprehur shumë qartë në kryq. Prandaj, edhe në orët më të errëta, ju do të njihni gëzimin e pranisë së Tij dhe do të keni gjithmonë arsye për ta falënderuar Atë. Ka forcë, dinjitet dhe adhurim në të qenët në gjendje për të thënë: “ZOTI ka dhënë dhe ZOTI ka marrë. Qoftë i bekuar emri i ZOTIT” (Jobi 1:21).
