20 Janar 2026

“Na mëso, pra, të numërojmë ditët tona  për të pasur një zemër të urtë.” PSALMI 90:12

Në librin e tij “Sikur të ishte e vërtetë” (If Only It Were True), Marc Levy i inkurajon lexuesit të imagjinojnë një bankë që hedh në llogarinë e tyre 86 400 dollarë çdo  mëngjes. Mirëpo lekët e mbetur nga njëra ditë nuk mund të ruhen në llogari për tjetrën, dhe kështu, gjithçka e mbetur në të fshihet në fund të po asaj dite. Çfarë do të bënit? Sigurisht që do të tërhiqnit çdo qindarkë!

Më pas, ai thekson se të gjithë ne kemi një bankë të tillë: ajo quhet kohë. Çdo mëngjes na jepen 86 400 sekonda dhe çdo natë humbasim çdo çast që nuk e kemi shfrytëzuar me mençuri. Nuk ka shtesa ose teprica; ne mund të jetojmë vetëm me kohën e sotme dhe të shpresojmë të nxjerrim maksimumin prej saj.

Edhe pse të krishterët kanë shpresën e sigurt të jetës së përjetshme, koha jonë mbi këtë tokë është ende e kufizuar. Ja pse, në Psalmin 90, Moisiu na kujton, në dritën e shkurtësisë së ekzistencës sonë njerëzore dhe të përjetësisë së Perëndisë, t’i numërojmë ditët tona siç duhet, që të fitojmë një zemër të urtë.

Në kulturën tonë të vrullshme, ne mund të bëhemi kaq të fiksuar për të jetuar për të tashmen, aq sa të mos e dallojmë marrëdhënien mes vdekshmërisë dhe mëkatit tonë. Nëse nuk kemi një përgjigje për vdekjen dhe nuk duam të jetojmë nën frikën e saj, atëherë më e mira është ta shpërfillim atë dhe të jetojmë sikur ditët tona nuk janë të numëruara.

Mirëpo, në ringjalljen e Jezu Krishtit, ne kemi vërtet një përgjigje për vdekjen, dhe nuk ka pse të kemi frikë prej saj. Në jetën tonë, ne mund t’i zëmë besë kujdesit të provanisë së Perëndisë dhe të dëshmojmë për të, një kujdes që i jep përmbajtje, themel dhe kuptim ekzistencës sonë. Kemi nevojë që Perëndia ta sjellë këtë të vërtetë në zemrat dhe në mendjet tona.

Numërimi si duhet i ditëve tona është rezultat i një transformimi të brendshëm që Fryma e Perëndisë e sjell me kalimin e kohës dhe i një përpjekjeje të ndërgjegjshme për ta përdorur kohën tonë nën dritën e përjetësisë. Nuk ka ditë më të mirë se e sotmja për të filluar t’i numërojmë ditët tona ashtu siç duhet! Nuk do të jemi më kurrë në këtë moshë që jemi tani, as edhe për një çast tjetër. Kur takoni burra dhe gra të moshuara të krishtera, pra, njerëz të cilët shfaqin urtësi të thellë dhe janë të kënaqur me mënyrën se si e kanë kaluar jetën e tyre, kjo është për shkak të zotimeve që kanë marrë në vitet më të mira të jetës së tyre. Shembujt e tyre duhet të na frymëzojnë që të ndjekim udhëzimin e Predikuesit: “Por kujto Krijuesin tënd në ditët e rinisë sate para se të vijnë ditët e këqija dhe të arrijnë vitet për të cilat ke për të thënë: ‘Nuk gjej asnjë kënaqësi në to’” (Predikuesi 12:1).

Jini po aq të vendosur për të shmangur humbjen e kohës në këtë jetë, sa jeni për të shmangur shpërdorimin e parave të llogarisë suaj bankare. Vlerësojini çastet e zakonshme dhe në dukje të parëndësishme, dhe kërkojini Perëndisë që t’i përdorë për të sjellë ndryshim në shpirtin tuaj dhe për ata që ju rrethojnë. Sigurohuni që çdo sekondë të vlejë për Krishtin.

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

II TIMOTEUT 4:1-8