“…Kjo kupë është besëlidhja e re në gjakun tim që derdhet për ju.” LUKA 22:20
Jezusi i përmbush premtimet e Perëndisë dhe e shpërndan secilin nga bekimet e Tij. Ai ka inauguruar besëlidhjen e re dhe ka marrë rolin e tij të shumëpritur si Mbreti i vërtetë. Nga Jezusi vjen çdo bekim. Përmes Tij mbahet çdo premtim. Atij i jepet e gjithë lavdia.
Të krishterët i pranojnë këto të vërteta në tryezën e Darkës së Zotit, kur marrim kupën dhe kujtojmë që Jezusi e derdhi gjakun e Tij, gjakun e besëlidhjes së re, për faljen e mëkateve tona. Në kryq, Jezusi vdiq për të marrë dënimin që ne meritojmë, në mënyrë që mëkatarët që nuk e meritojnë mëshirën dhe hirin e Tij, të mund të gëzojnë bekimet e faljes.
Kjo do të thotë që kur e vendosim besimin tonë në Jezusin, ne mund të jemi të sigurt që Ai e ka marrë mëkatin tonë dhe gjykimin e tij, dhe na ka dhënë neve drejtësinë e Tij. Jezusi përjetoi vdekjen që meritonim ne. Ai jetoi jetën e përsosur që ne nuk mund ta jetonim dot. Perëndia na ka mbështjellë me mbulesën e faljes së Tij, të cilën e siguroi Biri i Tij. Ne nuk duhet të pushojmë kurrë së mahnituri me faktin që këto gjëra janë të vërteta, me anë të besimit, për ne.
Profetët e Besëlidhjes së Vjetër ishin shumë të qartë: do të vinte një Mbret i cili do të ishte pasardhës i Davidit dhe Ai do t’i përmbushte premtimet e Perëndisë. Ai do të themelonte sundimin e Perëndisë, do të inauguronte një epokë të re dhe do të trajtonte efektet e ligësisë. Jezusi mund të mos dukej fare si mbret kur u var në kryq, mirëpo ky ishte çasti i fitores së Tij më të madhe. Kur Jezusi doli nga varri, ringjallja e Tij deklaroi se Ai nuk ishte thjesht biri i Davidit, por ishte gjithashtu Biri i Perëndisë, i cili ishte në gjendje për ta mundur edhe varrin.
I gjithë autoriteti i është dhënë Atij dhe prej Tij buron një rrjedhë e pandalshme hiri dhe mëshire. Vetëm Ai që është burimi i një fuqie të tillë, mund ta transformojë zemrën dhe të jetë i denjë për dashurinë e shpirtit tonë.
Tani Jezusi sundon dhe mbretëron në të djathtën e Atit, mirëpo Ai, gjithashtu, mbretëron në zemrat e atyre që i besojnë Atij. Nuk ka ditë më të mirë sesa sot që të humburit t’i ulin armët e tyre të rebelimit, të gjunjëzohen përulësisht përpara këtij Mbreti të denjë, të pranojnë që Ai është pikërisht Shpëtimtari që u nevojitet kaq shumë dhe t’i kërkojnë Atij të mbretërojë mbi fronin e jetës së tyre. A është Krishti Mbreti yt? Atëherë, si nënshtetas i Tij, adhuroje dhe lavdëroje Atë, dhe si ambasador i Tij, shko dhe tregoju të tjerëve për shpresën që ke gjetur.
