“Dhe ndodhi që, ndërsa Jezusi ishte në njëfarë vendi duke u lutur, si mbaroi, dikush nga dishepujt e tij i tha: ‘Zot, na mëso të lutemi, ashtu si edhe Gjoni mësoi dishepujt e tij.’” LUKA 11:1
Bashkësia jonë me Perëndinë nëpërmjet Zotit Jezu Krisht shprehet kryesisht nëpërmjet lutjeve tona. Ato dëshmojnë për marrëdhënien tonë me Të. Ai jo vetëm që flet me ne nëpërmjet Fjalës së Tij, por, gjithashtu, na ka besuar edhe privilegjin e mahnitshëm për të komunikuar me Të në lutje.
Shkrimi na ofron tregime të shumta për jetën e Jezusit në lutje. Sa më mirë t’i njohim këto tregime, aq më shumë kuptojmë se Jezusi e trajtoi lutjen si zakon të shenjtë. Ai lutej rregullisht herët në mëngjes për t’i paraqitur planet e ditës para Atit të Tij. Lutja në një vend të qetë dhe të vetmuar i mundësoi Jezusit që më pas të ndiqte zërin e Atit të Tij, jo zhurmën e turmave, dhe madje as kërkesat e dishepujve të Tij. Lutja formoi kontekstin ose kornizën e të gjitha vendimeve që Ai mori.
Rutina e lutjes së Jezusit i nxiti dishepujt e Tij t’i përgjëroheshin: “Zot, na mëso të lutemi!”. Me sa duket atyre u bëri përshtypje intensiteti dhe përqendrimi i Tij, gjë që krijoi një uri në zemrat e tyre për një intimitet të ngjashëm me Atin.
Në përgjigje të kërkesës së tyre, Jezusi i udhëzoi dishepujt e Tij që të mos “dërdëllitnin” ose të pandehnin se do të dëgjoheshin “për shkak të fjalëve të tyre të shumta” (Mateu 6:7). Me fjalë të tjera, kur lutemi, nuk duhet të dërdëllitim ose të flasim pa pushim. Përkundrazi, në shembullin që u dha Jezusi më pas — domethënë, në Lutjen e Zotit — zbulojmë se fëmijët frymërorë të Perëndisë janë të lirë t’i drejtohen Atij thjesht dhe drejtpërdrejt si Ati i tyre qiellor.
Por për çfarë duhet të lutemi? Si fillim, ne duhet të kërkojmë që emri i Perëndisë të nderohet si duhet, që Ai të sjellë mbretërinë e Tij në ne dhe rreth nesh, dhe që Ai të plotë sojë nevojat tona të përditshme. Ne duhet të pranojmë nevojën tonë për pendim të përditshëm, nevojën për t’i falur të tjerët dhe varësinë tonë te Perëndia për t’u përballur me tundimin. Jezusi shpjegoi se në lutjet tona duhet të kërkojmë dhe të lutemi që të shohim lavdinë dhe hirin e Perëndisë në jetën tonë të përditshme.
Në shtegtimin tonë të krishterë, pa dyshim që nuk ka asgjë më të rëndësishme — ose më të vështirë për t’u mbajtur — sesa një jetë lutjeje kuptimplote. Mirëpo ka ndihmë. Nëse Jezusi, Biri hyjnor i Perëndisë, kishte nevojë që të lutej, atëherë sigurisht që ti dhe unë kemi nevojë gjithashtu. Ky mendim përulës duhet të na bëjë të biem në gjunjë. Dhe kur jemi aty, mund ta përdorim lirisht Lutjen e Zotit si ndihmë në lutjen tonë. Perëndia të ka dhënë privilegjin e madh që t’i afrohesh Atij në lutje dhe t’i drejtohesh Atij si Atë. Ai është i gatshëm për të të dëgjuar dhe për të të ndihmuar. Sigurohu që ta trajtosh lutjen si zakon të shenjtë dhe kurrë si shtesë fakultative.
