“Dhe ai që fliste me mua, kishte si masë një kallam të artë, që të maste qytetin dhe portat e tij, dhe murin e tij. Dhe qyteti shtrihet si një katërkëndësh, dhe gjatësia e tij është aq sa gjerësia. Dhe ai e mati qytetin me kallamin për dymbëdhjetë mijë stade (gjatësia dhe gjerësia, dhe lartësia e tij janë të barabarta).” ZBULESA 21:15-16
Në të kaluarën, Perëndia banoi në mes të popullit të Tij, Izraelit, në tempullin në Jerusalem, por ai u shkatërrua. Pas shkatërrimit të tempullit nga mbreti Nebukadnetsar i Babilonisë, Perëndia premtoi se do të ndërtonte një tempull të ri (Ezekieli 40 – 43). Megjithëse në Jerusalem u ndërtua një tempull i dytë, ai ishte një hije e të parit dhe qártazi jo një përmbushje e atij premtimi (Hagai 2:2-3) — një premtim që u përmbush përfundimisht përmes jetës, vdekjes, ringjalljes dhe lartësimit të Jezusit (Gjoni 2:19-22).
Në tempull, prania e Perëndisë përqendrohej në Vendin Shumë të Shenjtë, një shenjtërore e brendshme që ishte ndërtuar si një kub i përsosur. Vetëm një burrë lejohej të hynte dhe ai, kryeprifti, mund të hynte vetëm një herë në vit. Më pas, shekuj më vonë, kur ai tempull i parë ishte veçse një kujtim i largët, apostulli Gjon mori këtë vegim të qytetit të ri të mbretërisë së përjetshme të Perëndisë. Ky qytet portretizohet si një kub i përsosur — por tani jo më një kub që do ta nxinte një ndërtesë në një qytet të Lindjes së Mesme, por një kub me një sipërfaqe aq të madhe sa bota që njihej në kohën e Gjonit.
Në krijimin e ri nuk do të ketë asnjë vend të veçantë ku do të përqendrohet prania e Perëndisë. Nuk do të ketë asnjë ndërtesë të veçantë për të vizituar, nëse duam të takojmë Perëndinë, sepse nuk do të ketë largësi mes nesh dhe Perëndisë. Gjoni nuk pa “shenjtërore në të” (Zbulesa 21:22), sepse, në atë ditë, Perëndia do të jetë atje, plotësisht dhe në një mënyrë spektakulare të cilën ende nuk mund ta kuptojmë; prandaj gjithçka do të jetë hapësirë tempulli. Kjo është një tablo radikale e diçkaje krejt të re — një transformim aq i pamasë, aq i pasur dhe aq i gjerë i rrethanave të jetës, saqë, siç shprehet apostulli Pal, ne nuk do të mund t’i imagjinojmë dot “ato që përgatiti Perëndia për ata që e duan” (I Korintasve 2:9).
Nëse jemi bashkuar me Krishtin, prania e Perëndisë është me ne nëpërmjet Frymës së Shenjtë. Megjithatë, njohuria jonë për Perëndinë dhe intimiteti ynë me Të janë ende të kufizuar. Sigurisht që gjendja jonë e tanishme nuk është gjithçka që ne mund të dëshirojmë fort dhe as nuk është gjithçka që Ai synon për ne. Kjo nuk ka ardhur ende — por do të vijë me siguri.
A po jeton në pritje të ethshme të këtij intimiteti të paimagjinueshëm me Perëndinë? Nëse je duke e pritur sinqerisht këtë vendbanim të përhershëm me Perëndinë, kjo do të bëhet e dukshme nga pastërtia e jetës sate dhe nga një shqetësim i pasionuar për t’i parë miqtë, të afërmit dhe fqinjët të njohin Krishtin. Duke e ditur se e kemi këtë shpresë të madhe, ne do të dëliremi, ashtu si Krishti është i dëlirë (I e Gjonit 3:3) — dhe nuk ka se si të mos u tregojmë të tjerëve për Jezusin, si me jetën, ashtu edhe me buzët tona.
