“Krishti na shpengoi prej mallkimit të Ligjit, duke u bërë mallkim për ne
(sepse është shkruar: ‘I mallkuar është kushdo që varet në dru’), që bekimi
i Abrahamit të vinte për kombet në Krishtin Jezus, që ne të merrnim
premtimin e Frymës nëpërmjet besimit.” GALATASVE 3:13-14
Si besimtarë në Jezusin, ne jemi çliruar nga mallkimi i madh i mëkatit. Mrekullia e këtij çlirimi na mbërthen në çastin kur kuptojmë se ky mallkim, që do të thotë se jemi fajtorë përpara Perëndisë dhe meritojmë të vdesim, është hequr prej nesh nga Krishti.
Megjithatë, pasi jemi shpëtuar, është e lehtë që mahnitja të zbehet dhe shtrëngimi i saj të dobësohet. Fare lehtë mund të jetojmë një jetë të këndshme dhe të rehatshme, gjë që e bën të vështirë ta dallojmë se si na ka kapur mëkati. Ne jemi shumë të prirur për të besuar se, nëse përpiqemi pak më shumë në martesat, punët, marrëdhëniet dhe arritjet tona, do të jemi njerëz të mirë dhe që e meritojnë bekimin. Ne duam të jemi fitimtarë, jo besimtarë. Ne vazhdimisht joshemi për t’u kthyer te feja e rreme e përpjekjeve tona.
Ky ishte tundimi për kishën galatase. Prandaj, Pali u shkroi atyre dhe në thelb u tha: Ky nuk është mesazhi i krishterë. Në fakt, është krejt e kundërta e tij! Nëse ungjilli do të ishte që Jezusi erdhi vetëm për t’i shtuar jetës sonë atë që i mungonte, atëherë ose nuk do të shqetësoheshim në lidhje me mallkimin e ligjit, ose për të nuk do të kishte zgjidhje. Por mallkimi është i vërtetë dhe duhet trajtuar. Pse do të interesoheshim për dikë që vdiq për të zënë vendin tonë, nëse fillimisht nuk kuptojmë se e meritojmë mallkimin që Ai mbajti?
Mjafton që thjesht të shikojmë ligjin e Moisiut, për të parë efektin e mallkimit të tij (shih, për shembull, Eksodi 20:1-17). Ligji zbulon se si nuk e kemi dashur Perëndinë me gjithë zemër. Nuk i jemi bindur Atij. Nuk i kemi dashur të tjerët si veten. Nuk kemi thënë gjithmonë të vërtetën. Ne jemi fajtorë për lakmi. E kështu lista vazhdon. Megjithatë, kur Fryma e Perëndisë na bind dhe shohim dështimet tona, ne këndojmë bashkë me shkrimtarin e himnit: “Punët e duarve të mia s’mbushin dot ligjin e Tij.” Shohim peshën e mallkimit që dikur rëndonte mbi ne dhe që ende duhet të qëndrojë mbi ne, dhe atëherë jemi në gjendje për ta parë Krishtin në gjithë lavdinë e Tij si Shpëtimtarin tonë, i cili erdhi ta ngrinte barrën e gjykimit.
Kjo është vetë zemra e besimit tonë. Kur shikojmë kryqin dhe dallojmë se si Jezusi u var atje, atë që bëri Ai e shohim njëherazi si diçka të nevojshme dhe vullnetare. Ai zuri vendin e Tij atje ku duhej të ishim ne. Ky është hiri.
Po të ishim në gjendje për ta rregulluar vetë marrëdhënien tonë me Perëndinë, nuk do të mahniteshim me shpengimin dhe as nuk do të shihnim ndonjë bukuri në mundësinë e birësimit. Kur tundohemi të shikojmë veten dhe veprat tona, duhet të kujtojmë se Krishti e ka thyer mallkimin. Dhe në atë mrekulli, ne mund të mburremi. Pavarësisht se sa ditë apo vite kanë kaluar qëkurse jeni mbërthyer për herë të parë nga hiri, këndoni sërish me vete tani:
Gjë të sjell për ty nuk kam,
Veç te kryqi kapur jam.
