“O Sion, ti që sjell lajmin e mirë, ngjitu mbi një mal të lartë! O Jerusalem, ti që sjell lajmin e mirë, ngrije zërin me forcë! Ngrije zërin, mos ki frikë! Thuaju qyteteve të Judës: ‘Ky është Perëndia juaj!’.” ISAIA 40:9
Gjatë jetës së profetit Isaia, populli i Perëndisë ishte çuar në robëri në një vend të huaj. Ata ishin shumë të brengosur, aq sa nuk mund t’i këndonin dot Zotit këngë lavdërimi (shih Psalmi 137:1-4). Megjithatë, ndërkohë që ata ishin në mërgim, Perëndia erdhi te populli i Tij me fjalë ngushëllimi (Isaia 40:1) — një ngushëllim që gjendet vetëm në përmbu shjen e premtimit të Tij: që lavdia e Zotit do t’i zbulohej jo vetëm Izraelit, por edhe gjithë njerëzimit.
Këto lajme ishin aq të mira, saqë ata nuk mund të rrinin dot gojëkyçur. Populli i Perëndisë duhej të lëshonte një britmë triumfi dhe kështu të magjepsnin njëri-tjetrin me lavdinë e shpresës së tyre. Dikur ata përshkruheshin si “populli që ecte në terr”, mirëpo tani ata kanë parë “një dritë të madhe” (Isaia 9:1).
Dallimi mes errësirës së kësaj bote të rënë dhe dritës së qiellit është një tablo e goditur, të cilën e shohim kudo nëpër faqet e Isaias, dhe madje në të gjithë Biblën. Errësira është rezultat i mosinteresimit për Perëndinë, i rebelimit ndaj Tij dhe i mosgatishmërisë për të bërë atë që Ai thotë: Ka vetëm një mesazh i cili bën që drita të ndriçojë në errësirë, duke i rifreskuar mendjet dhe zemrat e njerëzve: “Soditni Perëndinë tuaj!”. Ky mesazh është po aq i përshtatshëm për popullin e Perëndisë sot, sa ishte edhe në kohën e Isaias. Shpesh errësira na duket shumë e thellë, ndërsa drita na duket tepër e zbehtë. Megjithatë, shpesh ndodh që mesazhi i shpresës shfaqet edhe gjatë kohëve të pasigurta. Perëndia premtoi: “Atëherë lavdia e ZOTIT do të zbulohet dhe çdo mish do ta shohë, sepse goja e ZOTIT ka folur” (Isaia 40:5). Perëndia e përmbushi përfundimisht këtë premtim kur Ai vetë u bë njeri dhe jetoi mes nesh.
Kur Gjoni shkroi Ungjillin e tij, e ktheu vështrimin tek e njëjta skenë të cilën Isaia e kishte pritur, duke thënë: “Dhe Fjala u bë mish e banoi ndër ne, dhe ne vëzhguam lavdinë e tij, lavdi si ajo e një të vetmit nga Ati, plot hir e të vërtetë” (Gjoni 1:14). Ja ku ishte — Ai ishte — Drita e botës, dhe “drita shndrit në errësirë, dhe errësira nuk e kaploi” (v. 5). Isaia po përshkruante Atë që do të vinte — mirëpo ne, ashtu si Gjoni, mund të reflektojmë mbi veprën e përfunduar: lavdia e premtuar që tani është zbuluar.
Perëndia ka ardhur te ne, ka depërtuar në errësirën tonë dhe na ka sjellë shpëtim. Perëndinë tuaj mund ta soditni në një grazhd, në një kryq, duke dalë nga varri dhe tani duke mbretëruar në lartësi. Nuk është e vështirë të shohim errësirën — megjithatë, ne duhet të shohim dritën, sepse atje e gjejmë shpresën që e dëbon frikën tonë dhe lajmin e mirë që ia vlen të shpallet. Sot, soditni Perëndinë tuaj!
