19 Shkurt 2026

“Por populli u ankua dhe kjo nuk tingëlloi mirë në veshët e ZOTIT; sa e dëgjoi,
ZOTI u zemërua dhe zjarri i ZOTIT shpërtheu…” NUMRAT 11:1

Në jetën e krishterë nuk duhet të ketë vend për ankesa.

Ky ishte një mësim që Izraeli e mësoi me dhimbje (dhe shumë ngadalë). Pasi Perëndia i çliroi nga skllavëria në Egjipt, izraelitët morën ligjin e Tij, u pajisën me urdhërimet e Tij dhe e dinin vendmbërritjen e tyre. Ata u nisën me zell për në Tokën e Premtuar, por nuk kishin shkuar shumë larg — sapo kishin marrë kthesën e parë — kur filluan të
ankoheshin. Ata donin të hanin mish në vend të manës, dhe madje shprehën dëshirën për të qenë sërish në Egjipt (Numrat 11:4-6). Ata që dikur mendonin se furnizimi i përditshëm me mana nga Perëndia ishte një tregues i mrekullueshëm i dashurisë së Tij për ta, tani po ankoheshin se u duhej të hanin të njëjtin ushqim çdo ditë.

Ankesa duket sikur është diçka e vogël, mirëpo ajo është një shenjë që nuk ka mirënjohje. Sa herë që jeta e fëmijëve të Perëndisë karakterizohet nga mosbesimi dhe mungesa e mirënjohjes, pasojat janë të pashmangshme. Mund të mos përfundojmë si izraelitët, të cilët u endën në shkretëtirë për 40 vjet, por edhe ne do të paguajmë një çmim për ankesat.

A ju kujtohet kur e ndiet për herë të parë ngazëllimin për besimin tuaj të ri? Ndoshta kur bletë kopjen tuaj të parë të Besëlidhjes së Re dhe menduat se gjithçka që po zbulonit, ishte fantastike. Ju e lexonit atë kudo. Pastaj, ndoshta, ndodhi diçka gjatë udhëtimit; tani duket sikur është thjesht “e njëjta Bibël e vjetër” dhe dëshironi që Perëndia të bëjë diçka më dramatike, diçka më të mirë? A ju kujtohet koha kur të folurit me të tjerët për besimin ju dukej si privilegj emocionues — por tani ju duket si barrë dhe detyrë? A ju kujtohet koha kur ishit të tejmbushur me mirënjohje për kryqin — por tani e kuptoni se përqendroheni më shumë tek udhët në të cilat Perëndia nuk ju ka udhëhequr, ose te vendet që ju vetë do të kishit parapëlqyer?

Kur apostulli Pal i shkroi kishës së hershme, ai u kujtoi atyre historinë e Izraelit si një paralajmërim: “Dhe të mos e sprovojmë Zotin ashtu si disa prej tyre e sprovuan dhe u shkatërruan nga gjarpërinjtë. Dhe mos murmurisni, sikundërse disa prej tyre murmuritën dhe u shkatërruan nga shkatërruesi. Tani, këto gjëra u ndodhnin atyre si shembull dhe u shkruan për paralajmërimin tonë…” (I Korintasve 10:9-11).

Nëse kemi besim në Krishtin, ne jemi liruar nga skllavëria e mëkatit — madje edhe nga ankesat tona! Ne jemi çliruar nga një flijim: derdhja e gjakut të Krishtit në kryq. Ne, gjithashtu, jemi nisur në një udhëtim, jo për në Kanaan, por për në qiell. Në dritën e kësaj, Perëndia na ka dhënë premtime të mrekullueshme dhe paralajmërime të nevojshme. Mos abuzoni me furnizimin e Tij dhe mos u ankoni për rrugën nëpër të cilën ju çon Ai, por, përkundrazi, mbushuni me mirënjohje për gjithçka që Ai ka siguruar materialisht dhe frymërisht. Kryqi qëndron pas jush, qielli qëndron para jush dhe Fryma banon brenda jush. Nuk ka nevojë apo justifikim për ankesa.

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

PSALMI 95