“Ata e mjekojnë shkel e shko plagën e bijës së popullit tim,
duke thënë: ‘Paqe, paqe’, kur nuk ekziston paqja.” JEREMIA 8:11
Kur përballemi me një gjendje të rëndë mjekësore, askush nga ne nuk dëshiron të trajtohet nga një mjek i paaftë. Imagjinoni të shkoni te një mjek, kura e të cilit për gangrenën është thjesht t’i vendosë një fashë të bukur sipër, t’ju ofrojë një ngjitëse për problemet tuaja dhe t’ju urojë të kaloni një pasdite të këndshme. Kjo mund t’ju bëjë të ndiheni më mirë për pak kohë, por nuk do ta trajtonte problemin — dhe shumë shpejt do të
ndiheni edhe më keq!
Në epokën e Besëlidhjes së Vjetër, roli i profetëve ishte që të flisnin fjalën e Perëndisë dhe t’i bënin thirrje popullit të Perëndisë për t’iu bindur besëlidhjes së Tij. Perëndia e vendoste fjalën e Tij në gojën e profetëve dhe ata e shpallnin atë që kishte thënë Perëndia — jo atë që ata vetë kishin në mendje. Shpesh, mesazhi i tyre ishte: Kujdes! Gjykimi po vjen. Kjo nuk është një deklaratë e pranueshme!
Për shkak se mesazhi i Perëndisë ishte kaq sfidues, profetët e rremë u shumuan — dhe në njëfarë mënyre, ata morën më të mirën nga të dyja botët. Ata njiheshin si profetë dhe mund të shkonin vërdallë duke bërë deklarata të mëdha, e megjithatë, ata mund t’u thoshin njerëzve gjithçka që ata dëshironin të dëgjonin. Profeti i rremë ishte si një mjek i keq, duke u thënë njerëzve se gjithçka do të shkonte mirë kur, në realitet, prognoza ishte e zymtë. Është e mrekullueshme të dëgjosh se gjithçka është në rregull dhe se toka jote është një vend paqeje — nëse armiku nuk do të shfaqet së shpejti në horizont. Atëherë, duhet të përgatitesh.
Ndërsa profetët e vërtetë folën për gjykimin që do të vinte nga Perëndia, mesazhi i tyre, gjithashtu, i paralajmëroi njerëzit kundër vetëkënaqësisë dhe i inkurajoi ata që të mos binin në dëshpërim. Perëndia e ka garantuar gjithmonë përkushtimin e Tij ndaj popullit të Vet, duke premtuar një të ardhme të mrekullueshme për ta. Shpresa e tyre e vetme përballë gjykimit do të ishte të gjenin strehë në Perëndinë, jo larg Tij.
Profetët e rremë janë të shumtë edhe në kohën tonë. Fjalët e tyre dëgjohen në lajkat e folësit të zakonshëm në ceremonitë e diplomimit: “Ju jeni grupi më i shkëlqyer i të rinjve që ka parë ndonjëherë ky komunitet. E ardhmja është në duart tuaja. Jeni gati të fluturoni!”. Mirëpo, në mënyrë të ngjashme, fjalë të cekëta thuhen edhe në shumë kisha, ku mësimi përbëhet nga përgjithësime të paqarta dhe të vërteta gjysmake, gjoja frymëzuese për dëgjuesit — dhe një e vërtetë gjysmake është gjithashtu një gjysmëgënjeshtër.
Në kohën tonë, ne kemi nevojë për zëra të vërtetë profetikë, po aq sa populli i Perëndisë në kohën e Jeremias. Kishat tona, kombi dhe bota jonë, kanë nevojë për ata që kanë guximin për të thënë të vërtetën, edhe nëse kjo sjell tallje dhe refuzim: të flasin për mëkatin, të këmbëngulin se Perëndia ka standarde etike, të paralajmërojnë për gjykimin, të shpallin kthimin e ardhshëm të Jezusit dhe, si rrjedhim, të jenë në gjendje për të treguar bindshëm drejt Atij që është i vetmi që mund të sjellë shpëtim.
Kërkojini Perëndisë të ngrejë individë që janë të përgatitur për t’i sfiduar dëgjuesit e tyre me fjalën e Perëndisë dhe në nënshtrim ndaj Frymës së Perëndisë. Lutuni që, kur ta dëgjoni fjalën e Perëndisë të predikuar me të vërtetë përmes një zëri të tillë, ta ruani veten nga vetëkënaqësia, të jeni të gatshëm për të dëgjuar dhe të jeni gati për t’u strehuar te Perëndia, i cili është shpresa juaj e vetme. Dhe lutuni që të jeni ai zë në lagjen tuaj dhe në vendin tuaj të punës.
