19 Janar 2026

“Dhe në asnjë tjetër nuk është shpëtimi, sepse nuk ka as edhe një emër tjetër nën qiell, që është dhënë ndër njerëz, në të cilin ne duhet të shpëtohemi.” VEPRAT E APOSTUJVE 4:12

Pranë godinave universitare të Universitetit Northwestern në periferi të Çikagos, ndodhet një tempull i madh i ngritur nga besimi bahá’í. Ajo është një strukturë madhështore, me nëntë portikë — një për secilën nga nëntë fetë kryesore botërore — dhe të gjitha të çojnë në një auditor qendror. Arkitektura ka për qëllim të nënkuptojë rrugët e shumta drejt “së vërtetës”, për të cilën besimtarët bahá’í besojnë se nuk mund të gjendet në asnjë dogmë, person apo entitet të vetëm.

Kjo mendësi nuk ndryshon shumë nga mjedisi kulturor në të cilin jetoi apostulli Pal. Perandoria romake ishte shumë e hapur, shumë e gatshme për të përqafuar gjithçka dhe shumë e përgatitur për t’i përfshirë të gjitha llojet e feve. Në të vërtetë, Roma strehonte një kolek  sion të madh idhujsh dhe perëndish në panteonin e vet, duke nderuar kështu besimin e saj në rrugët e shumta drejt së vërtetës.

Atëherë, si është e mundur që një kulturë kaq pluraliste, e hapur dhe politeiste, t’ua jepte të krish terët si ushqim luanëve në Kolose? Pse perandori Neron i vuri në shënjestër besimtarët, madje duke shkuar aq larg sa t’i përdorte trupat e tyre si pishtarë njerëzorë për të ndriçuar festat e tij?

Përgjigjja qëndron në një fakt të thjeshtë: kultura romake nuk mundte dhe nuk do ta toleronte krishterimin, sepse të krishterët nuk ishin të përgatitur që thjesht ta shtonin Krishtin në panteonin imagjinar të perëndive. Përkundrazi, ata e mbajtën fort të vërtetën që — ashtu sikurse Pjetri dhe Gjoni ia thanë plot guxim së njëjtës gjykatë judaike që e kishte dënuar Zotin Jezus me vdekje — nuk ka shpëtim në asnjë emër tjetër, përveçse në emrin e Jezusit. Në kulturën romake të shekullit të parë, sapo njerëzit shpallnin këtë besim, ata përbuzeshin dhe talleshin, dhe ndonjëherë madje dënoheshin me vdekje.

Pluralizmi nuk mund t’i durojë dot — në të vërtetë, ai shpesh është i pamëshirshëm dhe jotolerant ndaj tyre — ata që e refuzojnë pikëpamjen e tij se të gjitha rrugët janë njëlloj të vlefshme. Rreth 2 000 vjet më vonë, ne duhet të pranojmë se po jetojmë në një mjedis jo shumë të ndryshëm nga ai i Perandorisë Romake, edhe pse e pranojmë se fatmirësisht është më pak brutal në përndjekjet e veta. Krishterimi biblik që flet për një Krisht që do të vijë sërish në lavdi, një Bibël të pagabueshme dhe një Perëndi triun, është ofendim ndaj një bote pluraliste.

Megjithatë, pavarësisht se çfarë mund të besojë bota përreth nesh, Jezusi nuk e ka vendin mbi një piedestal përkrah perëndive të tjerë të rremë ose figurave fetare. Ai është shumë më tepër se një portik tjetër që të çon tek e vërteta. Ashtu si perëndia filistin, Dagoni, ra dhe u thye përpara Arkës së ZOTIT (I i Samuelit 5:1-4), po kështu do të vërtetohet se të gjithë të tjerët nuk janë asgjë në krahasim me Të. Ky mesazh nuk është popullor, por mbetet i vërtetë — dhe është i mrekullueshëm, sepse nëse nuk do të kishte një Shpëtimtar të kryqëzuar, atëherë nuk do të kishte asnjë rrugë drejt jetës së përjetshme, sepse të gjitha rrugët e tjera të çojnë vetëm drejt vdekjes. Një ditë, Buda, Muhameti dhe çdo profet tjetër i rremë do të përkulen para këmbëve të Jezusit dhe do të shpallin se Ai është Zot, për lavdi të Perëndisë Atë. Derisa të vijë ajo ditë, mbahuni fort pas së vërtetës dhe përpiquni t’i drejtoni njerëzit tek Ai që është udha, e vërteta dhe jeta, për të cilat të gjithë kemi nevojë (Gjoni 14:6). Të krishterët që ndoqën shembullin e Gjonit dhe të Pjetrit për të mos hequr dorë ose për të mos qëndruar në heshtje, ishin ata që e ndryshuan Perandorinë Romake; me hirin e Perëndisë, edhe ne mund ta transformojmë botën sot teksa ndjekim gjurmët e tyre.

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

VEPRAT E APOSTUJVE 4:1-22