“…me gjakun tënd bleve për Perëndinë njerëz prej çdo fisi dhe gjuhe,
dhe populli, dhe kombi, dhe i bëre ata një mbretëri dhe priftërinj për
Perëndinë tonë, dhe do të mbretërojnë mbi tokë.” ZBULESA 5:9-10
Në kolegjin biblik ku studiova ishte edhe një kandidate për misionare nga Wales-i, e quajtur Mary Fisher. Ajo po studionte gjuhën shona, që të mund t’u jepte mësim djemve dhe vajzave të reja në Zimbabve. Pak kohë pas mbërritjes së saj atje, në shkollën ku ajo jepte mësim, ndodhi një bastisje terroriste. Bashkë me shumë mësues dhe fëmijë të tjerë, Maria nuk mbijetoi; jeta e saj u shua në atë sulm. Megjithatë, edhe pse vdekja e saj
ishte tragjike, jeta e saj kishte dëshmuar për gëzimin e pakrahasueshëm të shërbimit ndaj Perëndisë, jo vetëm këtu, por edhe në përjetësi.
Te Zbulesa, kënga e pleqve të mbledhur rreth Qengjit na kujton se qëllimi i vdekjes së Krishtit ishte që ne të mund të shpengoheshim nga Perëndia. Ne jemi çliruar nga mëkati që na mbante nën kontrollin e tij, në mënyrë që, tani që jemi blerë nga gjaku i Tij, të jetojmë për Të. Lavdërimi ynë i takon Perëndisë. Shërbimi ynë, ashtu si shërbimi i Mary Fisher-it, është për Perëndinë.
Ndërsa besimtarët në shekullin e parë vështruan përreth dhe panë se disa nga miqtë e tyre po çoheshin në robëri për besimin e tyre, ata u përpoqën të kuptonin triumfin e Krishtit mbi vdekjen, fitoren e lartësimit të Tij dhe realitetin e kthimit të Tij. Nën dritën e shtrëngimit me të cilin u përballën, këta të krishterë patën mundësi për të gjetur inkurajim në kujtesën që, edhe ndërkohë që Jezusi bënte shlyerjen për mëkatet tona, fokusi i Tij ishte gjithmonë tek Ati. Ai na bleu për Perëndinë.
Si t’i kuptojmë ndryshe tragjeditë që tregohen në biografitë e misionarëve apo të shpjegojmë kaosin e dukshëm dhe të shfrenuar që shfaqet në vdekjen e martirëve? Kënga e fundit e regjistruar e Mary Fisher-it na ofron qartësi. Si këngëtare dhe kitariste, ajo po u mësonte fëmijëve në klasën e saj tekstin e një kënge të bazuar në fjalët e Palit drejtuar kishës filipiane: “Se për mua të jetuarit është Krishti dhe të vdekurit fitim” (Filipianëve 1:21).10 Kënga thotë: “Të ecësh në shtegun e Tij dhe të mbash dorën e Tij, është rruga e paqes dhe e gëzimit.”
Kjo këngë nuk është gjë tjetër përveçse retorikë boshe, veç në qoftë absolutisht e vërtetë ajo që na thuhet te Zbulesa 5, se Jezusi shkoi në kryq për të na blerë për Perëndinë. Zbulesa 5 është absolutisht e vërtetë; prandaj, edhe nëse do të jepnin frymën e fundit në shërbimin e Tij, edhe nëse e gjithë jeta jonë do të shkelej me këmbë për hir të emrit të Tij, prapëseprapë do të ishte kohë, energji dhe jetë e shpenzuar mirë. Ju jeni shpenguar nga Perëndia, që të mund ta lavdëroni Atë sot dhe të kënaqeni me Të për gjithë përjetësinë. Pavarësisht se me çfarë mund të përballeni, sigurohuni që ta jetoni çdo ditë duke e pasur këtë si pasionin tuaj më të madh dhe qëllimin tuaj më të lartë.
