“Dhe unë qaja shumë, sepse nuk u gjet asnjë i denjë për ta hapur rrotullën, as për ta parë atë. Dhe një prej pleqve më tha: ‘Mos qaj! Ja, luani prej fisit të Judës, rrënja e Davidit, fitoi që të hapë rrotullën dhe të shtatë vulat e saj’. Dhe pashë në mes të fronit dhe të katër gjallesave, dhe në mes të pleqve, një Qengj që qëndronte si i therur…” ZBULESA 5:4-6
Kur ishim fëmijë, shumë prej nesh i dëgjonin prindërit të thoshin: “A u kujtove të…?”. Një nga shembujt që e mbaj mend, se e dëgjoja shpesh kur kthehesha nga shtëpia e dikujt, ishte “A u kujtove të thuash ‘faleminderit’?”. Nuk kisha nevojë për një zbulesë të re; thjesht kisha nevojë që të kujtohesha.
Teksa shihte vegimin që i dha Jezusi për realitetin qiellor, apostulli Gjon u përlot kur u përball me frikën se nuk kishte njeri që mund t’i hapte sekretet e botës dhe t’i shpjegonte telashet e përvojës së tij në shekullin e parë. Mirëpo Gjoni nuk kishte nevojë për informacione të reja. Ai kishte nevojë që të kujtonte atë që tashmë e dinte. Ai gaboi sepse kishte harruar gjërat themelore.
Gjonit iu tha të mos qante, por të shikonte nga Ai që mund ta hapte rrotullën. Kur u kthye, pa “një Qengj që qëndronte si i therur”. Plagët e Qengjit shërbenin për të kujtuar vdekjen e Krishtit, me anë të së cilës Ai ka arritur shpëtimin. Mirëpo ky Qengj qëndronte në këmbë, duke përfaqësuar kështu triumfin e ringjalljes së Tij. Këtu, në këtë vegim, ne shohim Jezusin, të Gjithëmëshirshmin dhe të Gjithëfuqishmin. Ai është Qengji dhe Ai është Luani. Ai meriton dhe kërkon adhurimin dhe bindjen e gjithë botës, dhe do t’i ketë.
Jezusi ishte zgjidhja për lotët e Gjonit, ashtu sikurse është edhe për lotët tanë kur ndiejmë frikë se bota po na shtyp — kur ndihemi të rraskapitur, të vegjël, të dobët dhe të lënë mënjanë, dhe kur tundohemi të besojmë se kjo botë, në vend që të jetë nën kontroll, qeveriset vetëm nga kaosi.
Askush prej nesh nuk e di se çfarë do të sjellë një ditë apo se çfarë do të ndodhë gjatë një nate. Këto sekrete i përkasin vetëm Perëndisë. Mirëpo çfarë hiri të madh që përjetojmë kur Perëndia na prek mbi sup dhe na kthen te Biblat tona, duke thënë: Mos po harron që Luani prej fisit të Judës ka triumfuar me të vërtetë, që Ai e ka gjithçka nën kontroll, që Ai mbikëqyr të ardhmen, që Ai është Mbreti? “Mos u frikëso” — i kishte thënë Jezusi tashmë Gjonit: “Unë jam i pari dhe i fundit, dhe i gjalli; dhe qeshë i vdekur, dhe ja, jam i gjallë në shekuj të shekujve, dhe kam çelësat e vdekjes dhe të Hadesit” (Zbulesa 1:17-18).
Prandaj, kur të ndihesh i shkurajuar ose i mposhtur, apo i shqetësuar nga e tashmja ose e ardhmja, thirrja është thjesht kjo: mbaj mend atë që tashmë e di. Shiko drejt Luanit të Judës, i cili për ne është Qengji i therur. Ai është i denjë dhe i aftë për t’i hapur rrotullat dhe për ta drejtuar historinë e kësaj bote deri në fund: deri në kthimin e Tij dhe në hyrjen tonë në lavdi.
