18 Janar 2026

“[Danieli] tri herë në ditë gjunjëzohej, lutej dhe falënderonte  Perëndinë e tij, siç e bënte zakonisht më parë.” DANIELI 6:10

Përkushtimi afatshkurtër nuk është edhe aq i vështirë. Qëndrueshmëria e disiplinuar na duket më e vështirë — megjithatë, ajo është çelës për rritjen frymërore.

Natyra shpesh sporadike e përkushtimit tonë shihet në programet stërvitore që nuk zgjasin shumë, në mësimin përmendsh të Biblës, në planet e leximit dhe në zotimet e Vitit të Ri. Sa prej nesh e nisin mbarë diçka, vetëm për ta braktisur më vonë! Por, në të njëjtën mënyrë, ju ndoshta keni hasur njerëz që janë tejet të qëndrueshëm dhe të disiplinuar. Ata e nxjerrin qenin e tyre për shëtitje në të njëjtën orë çdo ditë ose e marrin postën e tyre në një orar me aq përpikëri, sa mund të vini orën me të; dhe kur vendosin të ndërmarrin një detyrë ose të mësojnë një aftësi të re, ata e bëjnë këtë me një zell që nuk ju lë asnjë pikë dyshimi se do ta çojnë deri në fund.

Danieli ishte një njeri që shfaqi qëndrueshmëri dhe disiplinë të fortë kur bëhej fjalë për lutjen. Jeta e tij nuk u karakterizua nga shpërthime entuziazmi të pasuara nga plogështia kronike. Ai thjesht u lut, pavarësisht nëse i vinte për t’u lutur apo jo. Ndoshta ka pasur raste kur ai ngrihej nga lutja në gjunjë duke u ndier vërtet i bekuar dhe raste të tjera kur largohej me një shpirt shumë të zbrazët, por ai këmbënguli. Ai u lut dhe vazhdoi të lutej gjithnjë e më shumë, pavarësisht nga rrethanat. Kjo po që është disiplinë!

Stili i jetës së disiplinuar të Danielit nuk krijohej nga krizat me të cilat ai përballej; ato thjesht e zbulonin atë. Pasi mbreti Dar nxori një dekret që e bënte të paligjshme lutjen ndaj ndonjë perëndie ose njeriu tjetër përveç tij për tridhjetë ditë (Danieli 6:7), Danieli mund të kishte justifikuar bindjen ndaj mbretit dhe jo ndaj Zotit. Ai mund të kishte arsyetuar se, ngaqë kishte grumbulluar një thesar kaq të jashtëzakonshëm me fuqinë e të gjitha viteve të lutjes, mund të ndalonte së luturi për një muaj. Megjithatë, me sa duket, një mendim i tillë as që i shkoi fare në mendje. Përkundrazi, ai vazhdoi të lutej pikërisht “siç e bënte zakonisht më parë”.

Sigurisht që kishte një lidhje mes jetës së Danielit në lutje dhe trimërisë që tregoi duke iu bindur Perëndisë së Izraelit dhe jo mbretit më të fuqishëm në botën e asaj kohe. Zoti ynë na tha gjithashtu se duhet “të [lutemi] gjithmonë dhe të mos [ligështohemi]” (Luka 18:1). Ne nuk duhet ta ndërpresim lutjen për ca kohë nëse nuk na vjen të lutemi ose nëse kemi fare pak kohë të lirë në atë periudhë. Nëse duam të jetojmë për Jezusin kur jemi nën trysni, atëherë jeta jonë e lutjes duhet të jetë e qëndrueshme. Ne duhet ta konsiderojmë lutjen si element themelor të besimit tonë, jo thjesht si një shtesë të këndshme.

Edhe ju keni një mundësi shumë të mirë për të treguar të njëjtin lloj përkushtimi të qëndrueshëm ndaj lutjes, siç bëri Danieli. Nëpërmjet disiplinës së rregullt, lutja mund të bëhet reagimi juaj i natyrshëm ndaj çdo situate në jetën tuaj. A keni nevojë që të veçoni një kohë të caktuar çdo ditë për t’u lutur dhe për të falënderuar Perëndinë tuaj, pavarësisht nga rrethanat? Kudo që të na çojë Perëndia, çfarëdo që të bëjmë, sido që të shpaloset plani i Tij, lutjet tona qofshin të pandërprera!

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

EFESIANËVE 3:14-21