“Por ZOTI tha: ‘Ty të erdhi keq për bimën për të cilën nuk je munduar dhe nuk e ke rritur,
dhe që në një natë u rrit dhe në një natë mbaroi.
Dhe mua nuk duhet të më vijë keq për Ninivenë, qytetin e madh,
në të cilin ka njëqind e njëzet mijë veta që nuk dinë të dallojnë të djathtën e tyre nga e majta e tyre,
dhe një sasi të madhe kafshësh?’.” JONA 4:10-11
Jona e konsideronte veten viktimë. Ai ishte i bindur se kishte të drejtë të besonte që Niniveja duhej të merrte gjykim dhe se Perëndia kishte bërë gabim që e kishte shpëtuar qytetin. Ai, gjithashtu, ishte i bindur se Perëndia e kishte gabim kur lejoi që bima që po i bënte hije të thahej, duke e lënë atë të vuante në mes të vapës përvëluese.
Si reagim, Perëndia nuk e trajtoi profetin sipas kundërshtimit të tij që ishte për të ardhur keq, por, përkundrazi, i bëri një pyetje të rëndësishme: “A të duket e drejtë të zemërohesh kështu për bimën?” (Jona 4:9). Perëndia po argumentonte nga çështja më e vogël te më e madhja: nëse Jona mund të ishte kaq shumë i shqetësuar për një bimë që kishte mbirë dhe ishte tharë brenda njëzet e katër orëve, a nuk kishte të drejtë Ai, Perëndia i gjallë, që të shqetësohej për popullin e Ninivesë? Perëndia po i bënte thirrje Jonas që të rishikonte shkallën e përparësive të tij.
Pyetja e Perëndisë drejtuar Jonas është një pyetje që vlen edhe për ne. A ka ndonjë gjë në jetën tonë për të cilën shqetësohemi më shumë sesa t’i shohim njerëzit jobesimtarë të bëhen ndjekës të përkushtuar të Jezu Krishtit? Nëse i njohim zemrat tona, ne mund të kuptojmë se përsa i përket kohës, financave, dhuratave dhe lirive tona, pyetja “A ka ndonjë gjë?” shumë shpejt bëhet “Sa shumë gjëra?”. Ata që na vëzhgojnë, mund të mendojnë se jemi shumë më të shqetësuar për çështjet që kanë të bëjnë me rehatinë tonë, sesa jemi për shumë shpirtra që nuk e kanë dëgjuar kurrë ungjillin.
Si iu përgjigj Jona pyetjes së Perëndisë? Nuk e dimë. Libri i Jonas mbyllet me këtë pyetje hyjnore. Mirëpo pyetja më e rëndësishme nuk është se si u përgjigj Jona. Theksi i librit bie mbi dhembshurinë e Vetë Perëndisë. Pyetja më e rëndësishme është kjo: Si e kuptojmë ne, lexuesit e librit, hirin e Perëndisë? A do të vendosë shembulli i Tij në ne një model shqetësimi për të tjerët, në mënyrë që të dëshirojmë që ata të largohen nga mëkati dhe të besojnë tek Ai? A do të jetë zemra jonë më e ngjashme me zemrën e Jonas apo me atë të Zotit?
Ka ardhur koha që të mos u japim përparësi shqetësimeve të botës. Përparësia jonë duhet të jetë fitimi për Krishtin i shpirtrave të humbur që janë në komunitetet tona. Ne e përjetojmë gëzimin e njohjes së dhembshurisë së Perëndisë në jetën tonë përmes Jezusit. Reagimi i vetëm me vend ndaj këtij privilegji të madh është që të japim nga vetja, në mënyrë që edhe të tjerët ta njohin Atë. Perëndia të pyet: Për çfarë shqetësohesh më tepër? Për shtëpinë tënde? Për zotërimet e tua? Për pajisjet e tua? Apo për njerëzit në lagjen tënde që nuk e njohin Jezusin?
