17 Gusht 2026

“Atëherë ZOTI Perëndi përgatiti një bimë që u rrit përmbi Jonan, për t’i bërë hije kokës së tij dhe për ta çliruar nga e keqja e tij; dhe Jona ndjeu një gëzim të madh nga kjo bimë. Të nesërmen në të gdhirë Perëndia dërgoi një krimb që
i ra bimës, dhe kjo u tha.”
JONA 4:6-7

Kur Jona u largua nga Niniveja, qyteti ishte shpëtuar, mirëpo vetë profeti ishte buzëva­rur. E dija që do t’i falje pavarësisht nga ligësitë që kanë bërë, i tha ai Zotit. Tani më mirë të vdes sesa t’i shoh armiqtë e mi të falur (Jona 4:2-3).

Jona bëri një strehë të vogël për vete (v. 5), ndoshta me gurë ose tulla balte; nxehtësia e diellit do ta kishte bërë shumë të parehatshëm qëndrimin e tij në vend të hapur. Imagjinojeni Jonan të ulur në strehën e tij të vogël, duke dëshiruar vdekjen, dhe pastaj kupton që një bimë e mrekullueshme po rritej rreth tij. Krejt papritur vapa e ditës ishte zbutur nga hija e kësaj bime — dhe Jona ndihej shumë i lumtur.

Mirëpo ngazëllimi i tij nuk e pati jetën të gjatë. Po Ai Perëndi që siguroi bimën për ta bërë Jonan të lumtur, siguroi edhe një krimb që e shkatërroi bimën. Bima nuk u fishk në ndonjë mënyrë të panatyrshme, por si rezultat i proceseve normale që ndodhën nën kontro­llin hyjnor të Perëndisë.

Perëndia Krijues është sovran mbi gjithçka që ka krijuar. Në provaninë e Tij të mister­shme, Ai po vazhdonte të punonte me shërbëtorin e Tij sipas qëllimit të vullnetit të Tij. Në Librin e Jonas ka një frazë që përsëritet: “Perëndia caktoi.” Ai caktoi një peshk të madh, një bimë, një krimb, një erë zhuritëse nga lindja, dhe të gjitha këto ishin shprehje të dashurisë dhe interesimit të Tij për shërbëtorin e Tij (Jona 2:1, 4:8). Perëndia po punonte si përmes një peshku gjigant, ashtu edhe përmes një krimbi të vogël — sikurse Ai ende vazhdon të punojë — duke i çuar të gjitha gjërat drejt synimit të tyre të caktuar.

Doktrinën e provanisë e shohim të trajtohet te Pyetja 27 e Katekizmit të Hajdelbergut: “Çfarë duam të themi me provaninë e Perëndisë?”. Te përgjigjja thuhet: “Provania e Perëndisë është fuqia e Tij e gjithëpushtetshme dhe përherë e pranishme, përmes së cilës, si me dorën e Tij, Ai i mban qiellin, tokën dhe të gjitha krijesat e Tij, dhe i qeveris ato në një mënyrë të tillë që çdo fije bari, shiu dhe thatësira, vitet e bollëkut dhe të zisë së bukës, ushqimi dhe pija, shëndeti dhe sëmundja, pasuritë dhe varfëria, në të vërtetë, të gjitha gjërat, nuk ndodhin nga shansi, por nga dora e Tij atërore.”

Përgjatë udhëtimit të jetës, ndërsa përballesh si me “bimë” që të japin rehati dhe lumturi, ashtu dhe me “krimba” që e largojnë rehatinë ose shoqërinë nga jeta jote, mund të marrësh zemër duke ditur që nuk je zënë rob i ndonjë force të verbër fatale. Përkundrazi, Ati yt qiellor, i cili të mban në përqafimin e tij të dashur, po e qeveris gjithçka për të arritur qëllimin e Tij përfundimtar në jetën tënde: të të bëjë më të ngjashëm me Birin e Tij dhe të të sjellë në shtëpi pranë Tij. Prandaj, mendo për jetën tënde. Cilat janë bimët e tua? Cilët janë krimbat në jetën tënde? A do të përpiqesh të falënderosh për të dyja, duke qenë i sigurt në njohurinë që të dyja vijnë nga një Atë i dashur për të mirën tënde të përjetshme?

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

GJONI 15:12-17