17 Shkurt 2026

“Ju, fëmijë, bindjuni prindërve tuaj në Zotin, sepse kjo është e drejtë. ‘Ndero atin
tënd dhe nënën (ky është urdhërimi i parë me premtim), që ty të të bëhet mirë dhe,
kështu, do të jesh jetëgjatë mbi tokë.’” EFESIANËVE 6:1-3

Në dy raste, kur Pali u jep lexuesve të tij një listë të gjatë të fryteve të shëmtuara të paperëndishmërisë, pikërisht në mes të saj gjejmë një frazë të shkurtër: “të pabindur ndaj prindërve” (Romakëve 1:30; II Timoteut 3:2). Po kështu, kur lexoni historinë e kishës, zbuloni se çastet e zgjimit frymëror pasohen nga perëndishmëria praktike — ku përfshihet edhe nënshtrimi i fëmijëve ndaj autoritetit të prindërve të perëndishëm.

Bindja e fëmijëve ndaj prindërve nuk është thjesht një sugjerim; është një detyrim. Shkrimi na mëson se një bindje e tillë është me vend dhe në përputhje me rendin natyror të krijimit të Perëndisë, në përputhje me ligjin e Tij, si dhe reagim i duhur ndaj ungjillit. Prindërit nuk kanë pse të kenë frikë për të kërkuar bindje dhe për ta lavdëruar atë. Mirëpo Pali nuk thotë vetëm se bindja është e drejtë; po thotë gjithashtu se bindja ka një shpërblim. Në Zotin Jezus, ka një bekim që e shoqëron qëndrimin që u kushton vëmendje urdhërimeve dhe premtimeve të Perëndisë. Kur marrëdhëniet prind-fëmijë karakterizohen nga dashuria, besimi dhe bindja, nuk krijojmë vetëm njerëz të shëndetshëm; ne krijojmë një shoqëri të shëndetshme dhe të lidhur mirë.

Prindërit që dëshirojnë të kultivojnë një bindje të tillë, do të bënin mirë të mbanin mend pesë të vërteta të rëndësishme që Bibla mëson për fëmijët tanë:
1. “Ja, bijtë janë një trashëgimi që vjen nga ZOTI” (Psalmi 127:3). Ata janë dhuratë dhe bekim. Kur mendojmë për fëmijët tanë, duhet të ndiejmë mirënjohje ndaj Dhuruesit që na i ka dhënë ata fëmijë.
2. Nuk jemi ne pronarët e fëmijëve tanë; ata i përkasin Perëndisë. Ata na janë dhënë hua, për një kohë të kufizuar.
3. Fëmijët kanë të meta që nga ngjizja, janë fajtorë për mëkat dhe nuk e meritojnë jetën e përjetshme — ashtu si gjithë ne të tjerët (Psalmi 58:3; Romakëve 3:23).
4. Ngaqë janë mëkatarë, fëmijët kanë nevojë për urdhërimet e Perëndisë. Si prindër, ne jemi përgjegjës për t’i udhëzuar ata në ligjin e Perëndisë që në ditët më të hershme.
5. Fëmijët tanë mund të shpëtohen vetëm me anë të hirit. Prandaj, ne duhet t’i mësojmë ata që të shikojnë vetëm drejt Jezusit për shpëtim.

Shumë prej nesh jetojnë në një kulturë ku këto të vërteta kundërshtohen. Nga njëra anë, fëmijët shihen si të mirë që nga lindja. Prandaj, edukimi, shëndeti ose lumturia e tyre konsiderohet si e mira më e lartë. Nga ana tjetër, ata shpesh bëhen objekt batutash apo ankesash. Ndonjëherë edhe brenda vetë kishës, ka mungesë të deklaratave të qarta dhe biblike mbi prindërimin. Por ja se ç’thotë Perëndia: ndërsa fëmijët rriten, ata duhet t’u binden prindërve;
prindërit duhet t’i rrisin fëmijët e tyre që të njohin ligjin e Perëndisë dhe hirin e Perëndisë. Nëse duam që në shtëpitë dhe në kishat tona të rrisim një brez që është më i perëndishëm dhe më i zellshëm se yni, do të bënim mirë që t’i ushqenim fëmijët tanë në kontekstin e së vërtetës së Perëndisë. Shumë prej nesh janë prindër me fëmijë. Të gjithë ne do të jemi anëtarë të kishave që kanë fëmijë në mesin e tyre. Prandaj, si mund të kontribuosh në shëndetin frymëror të brezit të ardhshëm?

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

FJALËT E URTA 2