17 Mars 2026

“…sepse e di që kjo do të më dalë për shpëtim, nëpërmjet përgjërimit tuaj dhe mbështetjes së Frymës së Jezu Krishtit.” FILIPIANËVE 1:19

A ka njerëz në jetën tënde për të cilët nuk lutesh ngaqë mendon se ata nuk kanë nevojë për të? Me këndvështrimin tonë të kufizuar njerëzor, mund të jetë e lehtë që t’i anashkalojmë ata që nga jashtë duket sikur i kanë të gjitha gjërat në vijë. Mirëpo e vërteta është se ne të gjithë kemi nevojë për lutjet e të tjerëve dhe përfitojmë prej tyre.

Kur apostulli Pal ishte në burg, ai i shkroi kishës filipiane dhe u tha se e dinte që çlirimi i tij do të ishte rezultat jo vetëm i mbështetjes së Frymës së Shenjtë, por edhe i lutjeve të popullit të Perëndisë. Pavarësisht nëse e kishte fjalën për çlirimin nga vështirësitë e tij të çastit apo për çlirimin përfundimtar që do ta çonte në praninë e Krishtit, Pali donte që miqtë e tij të krishterë në Filipi ta dinin se ai varej nga lutjet e të tjerëve për ta mbështetur atë gjatë shërbesës të tij.

Kjo nuk ishte unike për këtë bashkësi. Kur Pali u shkroi të krishterëve në Romë, ai u tha të njëjtën gjë: “Tani, ju bëj thirrje, vëllezër, nëpërmjet Zotit tonë Jezu Krisht dhe nëpërmjet dashurisë së Frymës, për t’u përpjekur bashkë me mua në lutjet drejtuar Perëndisë për mua, që të shpëtoj…” (Romakëve 15:30-31). Ai dëshironte fort që ata të luftonin së bashku dhe kështu të freskoheshin. Ai dëshironte që shërbimi i tij të ishte i dobishëm për shenjtorët. Ai donte të çlirohej. Dhe ai u tha atyre se e gjitha kjo mund të realizohej nëpërmjet lutjeve të tyre! Siç tha dikur predikuesi i madh viktorian, C. H. Spurgeon: “Lutja është litari që i bie kambanës në kambanoren e Perëndisë.” Nën provaninë e Perëndisë, lutja është ajo që shpalos modelin, planin dhe fuqinë e Tij.

Thirrini Perëndisë — këtë na nxit Pali të bëjmë. Nëse duam ta shohim Frymën e Perëndisë të lëvizë në një mënyrë që mund të përshkruhet vetëm si e mbinatyrshme, së pari duhet të jemi të gatshëm për t’u lutur me zell, përulësi dhe pa pushim. Fjalët e Palit na tregojnë se ndërsa bashkohemi me shenjtorët e tjerë, ne mund t’i mbështesim ata në dobësitë e tyre. Mund të kërkojmë që t’u jepet kurajë. Ne mund të luajmë një rol në çlirimin e tyre.

Prandaj, kë njihni dhe e dini se ka nevojë për lutjet tuaja? A do të luteni për ta — me zell, guxim dhe këmbëngulje? Kë njihni që duket sikur nuk ka nevojë për lutjet tuaja? E po, ata kanë vërtet nevojë! A do të luteni për ta në të njëjtën mënyrë?

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

FILIPIANËVE 1:3-11