“Tani, ne nuk duam, vëllezër, që ju të jeni të paditur rreth atyre që flenë, që të mos trishtoheni ashtu si të tjerët që nuk kanë shpresë. Sepse nëse besojmë se Jezusi vdiq dhe u ringjall, kështu edhe Perëndia ata që fjetën përmes Jezusit, do t’i sjellë bashkë me të.” I SELANIKASVE 4:13-14
Herët a vonë, do të përballeni me pikëllimin kur një i afërm të largohet nga kjo jetë. Pyetja nuk është nëse do të pikëlloheni; pyetja është se si do të pikëlloheni.
Disa nga selanikasit ishin të pështjelluar në lidhje me kthimin e Jezu Krishtit dhe me ringjalljen prej të vdekurish. Ata po shqetësoheshin për shkak se nuk kuptonin. Si duhej të mendonin ata në lidhje me të krishterët e tjerë që kishin vdekur para se të kthehej Jezusi? Ku ishin tani këta të krishterë dhe çfarë do të bëhej me ta?
Pali fillon duke u kujtuar besimtarëve dallimin mes popullit të Perëndisë dhe pjesës tjetër të njerëzimit, “që nuk kanë shpresë”. Dikur ishim si gjithë të tjerët; ne duhet të kujtojmë se ishim “në atë kohë pa Krishtin… duke mos pasur shpresë dhe duke qenë të paperëndi në këtë botë” (Efesianëve 2:12). Megjithatë, tani jemi shpenguar dhe transformuar. Kemi kaluar nga mungesa e shpresës në shpresë. Ky ndryshim duhet të jetë inkurajim i madh për ne. Është ky besim i gjallë personal që na dallon nga “të tjerët”.
Për më tepër, duke u folur rreth “atyre që flenë”, Pali thekson natyrën e përkohshme të vdekjes për besimtarin; ajo nuk është gjendje e përhershme. Megjithatë, edhe pse metafora e gjumit na ndihmon të përballemi me atë që do t’u ndodhë trupave tanë në çastin e vdekjes, kjo nuk shpjegon tërësinë e asaj që i ndodh shpirtit. Kjo shprehje nuk synon të përcjellë idenë se shpirti është i pavetëdijshëm në periudhën e ndërmjetme mes vdekjes dhe ringjalljes. Jezusi na mësoi qartë se pas vdekjes do të ketë një vetëdijesim të menjëhershëm për lumturinë ose dhimbjen (shih, për shembull, Luka 16:22-24). Në Shkrim është e qartë se vdekja e çon menjëherë besimtarin në një përjetim më të afërt, më të pasur dhe më të plotë të Jezusit (Luka 23:42-43; Filipianëve 1:21-24).
Ky fokus në natyrën e përkohshme të vdekjes ndikon të kuptuarit tonë të pikëllimit të krishterë. Për jobesimtarin e pikëlluar, vdekja sjell vetëm vajtimin e zymtë të dëshpërimit dhe një zbrazëti të thellë, e cila nuk mund të mbushet nga asnjë ngatërrim i dëshirave me realitetin apo nga përdorimi i klisheve. Për besimtarin, ka një pikëllim të vërtetë dhe plot lot, por ai duhet të shoqërohet gjithmonë me një psalm ngazëllues shprese, sepse kur Zoti të kthehet, “ata që fjetën… [Ai] do t’i sjellë bashkë me të”. Funerali i një të krishteri nuk është koha për të thënë “Lamtumirë përgjithmonë”, por për të thënë “Shihemi përsëri”. Mungesa e njeriut tuaj të dashur është e përkohshme; ribashkimi do të jetë i përhershëm.
Kur pyetjet më të vështira të jetës na tundojnë që të dëshpërohemi, mund të gjejmë ngushëllim duke e ditur se Fjala e Perëndisë është e mjaftueshme për të gjitha gjërat, duke përfshirë edhe të kuptuarit tonë për vdekjen. Ruaji në zemër këto vargje dhe nguliti në kujtesën tënde, sepse do të vijë dita kur do të të duhet të kapesh fort pas tyre. Bëje këtë lutjen tënde: “Zot Jezus, më ndihmo të bëhem student i Librit, që të mos jetoj më në pështjellim ose shqetësim, por të mbushem me njohurinë Tënde, si dikush që është pjesë e shoqërisë Sate, në mënyrë që të mund të jetoj dhe të vajtoj me shpresë.”
