16 Gusht 2026

“Kështu ai iu lut ZOTIT, duke thënë:
‘Ah, o ZOT, a nuk ishte vallë kjo që unë thosha kur isha ende në vendin tim?
Prandaj ika në fillim në Tarshish, sepse e dija që je një Perëndi i mëshirshëm dhe plot dhembshuri,
i ngadalshëm në zemërim dhe me shumë dashamirësi, dhe që pendohesh për të keqen e hakërruar…’.
Por ZOTI i tha: ‘A të duket e drejtë të zemërohesh kështu?’.” JONA 4:2, 4

Kur fëmijët bëjnë ndonjë gabim, shpesh u kërkojnë falje prindërve të tyre. Pasi e marrin atë, ata thonë: “E di që e kisha gabim, por… kisha një arsye përsosmërisht të mirë pse e bëra atë që bëra.” Diçka të ngjashme e shohim edhe te profeti Jona. Perëndia e kishte fa­lur atë, e kishte ngritur lart dhe e kishte vendosur sërish në udhën e duhur. E megjithatë, ai u përpoq të justifikohej për mosbindjen e tij të mëparshme. Ai po zemërohej, po debatonte dhe po lutej në të njëjtën kohë — dhe kjo nuk është gjë e lehtë për t’u bërë!

Vini re se sa herë shfaqet përemri vetor “unë” në ankesat e Jonas. Në fjalimin e tij kishte shumë “Jona” — dhe për pasojë edhe në zemrën e tij — ndërsa e paraqiste çështjen e tij si diçka ku viheshin përballë fjala e tij dhe ajo e Zotit. Në marrëzinë e tij, Jona supozonte se udha e tij ishte më e mirë se ajo e Perëndisë.

Ankesa e Jonas ishte rrënjosur gjithashtu në një standard të dyfishtë. Edhe pse kohët e fundit ai kishte marrë dhembshurinë dhe mëshirën e Perëndisë, ai nuk e konsideronte si të drejtë faktin që Perëndia u tregoi të njëjtën mëshirë atyre që Jona i shihte si të pashpengu­eshëm.

Çështja kryesore për Jonan ishte hiri sovran i Perëndisë. Ai u zemërua me Perëndinë, i cili veproi në një mënyrë të cilën Jona nuk e kuptoi dhe as e miratoi. Mirëpo Zoti kishte shpallur shumë kohë më parë: “…Do të fal atë që do të fal dhe do të mëshiroj atë që do të më­shiroj” (Eksodi 33:19). Hiri hyjnor ndaj mëkatarëve nuk mund të shpjegohet kurrë. Ai nuk ka një arsye; thjesht reflekton se kush është Perëndia.

Si përgjigje ndaj reagimit të Jonas, Zoti nuk e pyeti nëse ishte i zemëruar, por nëse kishte të drejtë të zemërohej. Ky ishte thelbi i çështjes: a kishte Jona — një përfaqësues i popullit të cilin Perëndia e kishte favorizuar edhe kur ata ishin larguar nga rruga e drejtë, i cili në mosbindjen e tij e kishte përjetuar personalisht dorën shpëtuese të Perëndisë — ndonjë bazë të vlefshme për ta kundërshtuar dhembshurinë e Perëndisë ndaj të tjerëve? Përgjigjja është e qartë: jo. As ne nuk kemi ndonjë të drejtë që ta sfidojmë Perëndinë për mënyrën se si tregon mëshirë dhe se kujt ia tregon atë, ose për mënyrën se si i qeveris të gjitha gjërat, për t’i shpëtuar njerëzit e Tij dhe për ta përlëvduar Birin e Tij.

Nëse shohim se jemi zemëruar me Perëndinë dhe ankohemi në lidhje me mënyrën se si Ai ka zgjedhur t’i përmbushë premtimet e Tij, kjo ndodh për shkak se kemi harruar se sa të padenjë jemi ne për të marrë hirin e Perëndisë. Ja cili është rreziku: që ne të bëhemi aq tolerues ndaj mosbindjes sonë, sa të mendojmë se e meritojmë favorin dhe bekimin e Perëndisë. Mirëpo gjithçka është prej hirit, çdo ditë të jetës sonë. Vetëm kur të jemi pushtuar nga hiri, do të jemi në gjendje për të ngazëlluar në bollëkun e mëshirës së Perëndisë, e cila është derdhur pa masë mbi shenjtorët e Tij të padenjë.

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

GJONI 15:12-17