“Dhe Simon Pjetri, duke u përgjigjur, tha: ‘Ti je Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë’.
Dhe Jezusi, duke u përgjigjur, i tha: ‘I lum je, o Simon Barjona, se këtë nuk ta
zbuloi mishi dhe gjaku, por Ati im që është në qiej.’” MATEU 16:16-17
Kur lexojmë Ungjijtë, bëhet e qartë se kur njerëzit u takuan me Jezusin e Nazaretit, rrallëherë reaguan me asnjëanësi dhe respekt. Fjalët dhe veprat e tij frymëzuan dashuri dhe përkushtim të thellë, por edhe frikë e urrejtje. Si mund të shpjegohet vallë një larmi e tillë reagimesh?
Në këtë bisedë, rrugës për në Cezarenë e Filipit, kur Pjetri u përgjigj: “Ti je Krishti”, ai foli — siç ndodhte shpesh — jo thjesht për veten e tij. Fjala që përdori për të identifikuar Jezusin, ishte Christos, që në greqisht do të thoshte “Mesia” ose “i Vajosuri”. Në të gjithë Besëlidhjen e Vjetër, Perëndia kishte vajosur mbretër, gjykatës dhe profetë, mirëpo të gjithë ata ishin përfaqësues dhe zëdhënës që tregonin drejt Mesias të ardhshëm, Shpëtimtarit, Vetë të Vajosurit të Perëndisë. Prandaj, ajo që shpalli Pjetri, ishte veçanërisht e rëndësishme. Ai po i thoshte Jezusit: Ti je ai. Ti je ai për të cilin kanë folur profetët.
Edhe më befasues është shpjegimi i Jezusit për deklaratën e Pjetrit. Ky i fundit nuk doli në atë përfundim sepse ishte i zgjuar ose sepse kishte një aftësi të zhvilluar për të menduar me logjikë dhe arsye, ose sepse një predikues frymëzues ia kishte sqaruar këtë. Ai mund ta bënte deklaratën e tij, sepse në të vërtetë këtë gjë ia kishte zbuluar Perëndia Atë.
Rrëfimi i besimit i Pjetrit, sikurse edhe yni, nuk mund të kishte ardhur kurrë nga forca e tij. Besimi është dhuratë që na është dhënë. Kjo bisedë mes Pjetrit dhe Jezusit është një shembull konkret se si Fryma e Perëndisë e merr fjalën e Perëndisë dhe e sjell atë në mendjen dhe zemrën e dikujt, në një mënyrë që e bën atë të shpallë se Jezusi është Mesia — Krishti.
Ashtu si për Pjetrin, aftësia jonë për ta shpallur Jezusin si Zot dhe Mesia nuk është vepra jonë; “është dhurata e Perëndisë; nuk është prej veprash, që të mos mburret kush” (Efesianëve 2:8-9). Nëse besimi ynë do të ishte rezultat i aftësisë sonë intelektuale ose i inteligjencës sonë emocionale, ose i mirësisë sonë morale, ne mund të kishim besim — ne mund të mburreshim — në veten tonë. Mirëpo, në ditët e mira, kjo do të na bëjë krenarë, ndërsa në ditët e këqija do të na bëjë të brishtë. Jo: besimi ynë mbështetet tërësisht në dhuratën e Perëndisë, prandaj siguria jonë gjendet vetëm tek Ai — prandaj jemi të përulur në ditët tona më të mira dhe të sigurt në më të këqijat. Kështu, gëzohuni sot me mirënjohje, sepse Perëndia gjen kënaqësi në transformimin e zemrave dhe mendjeve me anë të së vërtetës së fjalës së Tij, që ne të shpallim bashkë me Pjetrin: “Ti je Krishti.”
