“…ju që ruheni me anë të fuqisë së Perëndisë nëpërmjet besimit, për një shpëtim që është gati për t’u zbuluar në kohën e fundit. Në këtë ngazëlloheni, ndonëse tani, për pak kohë, nëse duhet, ju u trishtuat në sprova të çfarëdollojshme.” I E PJETRIT 1:5-6
Ka dy gjëra rreth vuajtjes të cilat duhet t’i pranojmë — domethënë, se ajo vërtet ekziston dhe vërtet na dhemb. Vuajtja është një realitet në jetën e gjithkujt në një çast ose në një tjetër. Një vuajtje e tillë merr shumë forma, nga të cilat vuajtja mendore nuk është më pak e lehtë.
Kur po u shkruante bashkëbesimtarëve lidhur me vuajtjet, Pjetri e kuptoi se ka shumë mënyra të ndryshme në të cilat mund të trishtohemi. Pikëllimi specifik nga i cili u rënduan lexuesit e parë të Pjetrit, ishte vuajtja mendore që vjen nga durimi i vështirësive — por Pjetri ishte plotësisht i vetëdijshëm se ka një larmi sprovash që e sulmojnë mendjen tonë dhe na e dërrmojnë shpirtin.
Për shkak të ungjillit, Pjetri nuk ka pse ta mbyllë me një notë dëshpërimi dhe mungese shprese. Përkundrazi, ai na jep premtime pas të cilave mund të kapemi. Së pari, Pjetri na kujton se sprovat tona zgjasin vetëm për “pak kohë”. Tani, “pak kohë” duhet kuptuar në dritën e përjetësisë; edhe një jetë është “pak kohë” në krahasim me përjetësinë! Kështu, një periudhë e gjatë vuajtjeje në këtë jetë, në ekonominë e Perëndisë dhe në kuadrin e planit dhe qëllimit që Ai ka për fëmijët e Tij, është ende “pak kohë”. Kjo nuk do të thotë se një vuajtje e tillë do të na duket e shkurtër — sidomos kur jemi në mes të saj. Për shumë njerëz, vuajtje do të thotë që një minutë mund të duket si një ditë, një ditë mund të duket si një vit dhe një vit mund të duket sikur nuk do të mbarojë kurrë. Por ne mundemi dhe duhet të kapemi pas këtij premtimi: mjerimi ynë i tanishëm nuk është fundi ynë i përjetshëm. Jeta juaj sot mund të jetë plot vuajtje, por një ditë, “në kohën e fundit”, do të jetë plot shpëtim.
Së dyti, ne mund të themi me plot besim se Perëndia është i pranishëm në çdo çast vuajtjeje. Në rrëfimin e kthimit në besim të Saulit të Tarsit, ne shohim se Jezusi identifikohet ngushtë me vuajtjet e popullit të Tij. Ai thotë: “Saul, Saul, pse më përndjek [mua]?” (Veprat e Apostujve 9:4, theksimi i shtuar). Si mund të thoshte Jezusi “mua” kur Ai ishte në qiell? Mundej ta bënte sepse, nëpërmjet Frymës, Krishti ishte i pranishëm në mes të popullit të Tij. Ai u
solidarizua me ta. Fryma e Tij ishte me ta, duke i ruajtur ndërsa ecnin nëpër lugina, drejt ditës së shpëtimit të tyre përfundimtar. Ai bën të njëjtën gjë edhe për ne.
Në Zotin Jezus, ju keni një Kryeprift të Madh, i cili është plotësisht i aftë për të bashkëvuajtur me ju në vuajtjet që kaloni (Hebrenjve 4:15). Kur tundoheni të besoni gënjeshtrat se Perëndia ju ka braktisur ose se askush tjetër nuk e kupton atë që keni kaluar ose po kaloni, ju mund të jeni të sigurt në këtë: nuk ka “dhimbje as sëmbim që zemrat tona t’i përjetojnë, të cilat atje lart Ai të mos i njohë”. Mund të jeni plotësisht të sigurt edhe për këtë: një ditë pikëllimi do të mbetet pas dhe përpara do të na presë vetëm lavdia. Kjo është një e vërtetë në të cilën mund të ngazëllohesh sot, pavarësisht se çfarë mund të jesh duke përjetuar.
