“‘Tani mjaft, o ZOT! Merr jetën time, se unë nuk jam më i mirë se etërit e mi’. Pastaj [Elia] u shtri dhe e zuri gjumi poshtë gjineshtrës, por ja që një engjëll e preku dhe i tha: ‘Çohu dhe ha.’” I I MBRETËRVE 19:4-5
Është e sigurt që të gjithë ne e kemi gjetur veten në një luginë frymërore kur prisnim të gjendeshim në një majë mali. Ndoshta atëherë kur e kishim parashikuar më së paku, na kapi lodhja fizike ose morëm lajme shkurajuese, ose një mëkat i bezdisshëm u rikthye për të na munduar. Në jetën tonë, rrethanat shqetësuese shpesh vijnë bashkë, duke shkaktuar kështu një ndryshim nga besimi në frikë.
Profeti Elia u fsheh në shkretëtirë kryesisht për shkak se fokusi i tij kishte ndryshuar: ai kishte filluar ta shikonte Perëndinë përmes rrethanave të tij, në vend që të shikonte rrethanat e tij përmes Perëndisë. Ai i kishte zmadhuar vështirësitë e jetës së vet dhe kjo e paralizoi. Ndërsa filloi të ecte me anë të shikimit, në vend të besimit, paqja e tij u prish dhe begatia e tij frymërore u rrënua.
Elia kishte rënë në grackën e “vetes”. Duke u përqendruar në dështimet e shumta të izraelitëve para Perëndisë, ai kishte rënë pre e idesë se ishte i vetmi që po i shërbente Perëndisë (I i Mbretërve 19:10). Besimi dhe shpresa e tij u zëvendësuan me pakënaqësi dhe mungesë paqeje. I pushtuar nga keqardhja për veten, ai ia mbathi në shkretëtirë, u shtri nën një pemë gjineshtre dhe u lut që të vdiste. Megjithatë, në vend që ta gjykonte ose ta disiplinonte, Perëndia erdhi tek Elia dhe e freskoi me bukë dhe ujë, duke e përgatitur kështu për udhë timin që kishte përpara. Me një pëshpëritje të butë, Zoti iu shfaq sërish shërbëtorit të Tij të dëshpëruar dhe e rimëkëmbi atë në rolin e tij, duke i dhënë një listë krejt të re detyrash për të kryer (v. 4-16).
Gjatë kohëve të sprovave, ne shpesh lejojmë që në zemrat tona të zërë vend keqardhja për veten. Ne fillojmë të mendojmë se jemi të vetmit që po përballemi me sprova të tilla. Disa prej nesh mund të identifikohen me përvojën e Elias; Zoti na përdori fuqishëm në të kaluarën dhe patëm ndikim për ungjillin, por, për çfarëdolloj arsyeje, tani jemi shumë larg nga ajo majë mali. Perëndia mund të lejojë që të biem kaq poshtë — mirëpo ai nuk na lë kurrë aty. Ashtu si engjëlli ishte me Elian kur ai gjendej në luginën e tij, po kështu edhe Fryma e Perëndisë është me ne në tonën.
Nëse e gjeni veten në shkretëtirë, mos kërkoni thjesht një pemë gjineshtre poshtë së cilës të shtriheni. Mos hamendësoni se i keni lënë pas ditët tuaja më të mira. Perëndia ka një qëllim për mua dhe për ty. Ai e përfundon atë që fillon (Filipianëve 1:6). Rifreskohu duke kujtuar që Perëndia është pranë teje dhe këmbëngul në punën për të cilën Ai të ka thirrur.
