15 Shkurt 2026

“Sepse jeta e mishit është në gjak. Prandaj ju kam urdhëruar ta vini
mbi altar për të bërë shlyerjen për jetën tuaj, sepse është gjaku që bën
shlyerjen e fajit për jetën.” LEVITIKU 17:11

Kur Perëndia i shpëtoi izraelitët nga Egjipti, shpengimi i tyre çoi në një marrëdhënie me Të. Duke jetuar nën sundimin e Perëndisë, njerëzit gëzonin praninë e Tij në tabernakull. Por që nga fillimi, izraelitët nuk mund ta zbatonin ligjin e Perëndisë. Kjo krijoi një dilemë: si mund të jetonte një Perëndi i shenjtë me një popull mëkatar?

Në një ditë të caktuar të çdo viti — Ditën e Shlyerjes — kryeprifti i Izraelit udhëzohej nga Perëndia që të hynte në Vendin Shumë të Shenjtë — në atë vend të tabernakullit ku banonte prania e Perëndisë — për të ofruar flijime për mëkatet e popullit. Kryeprifti merrte dy cjep pa të meta. Të parin ai do ta ofronte si flijim për mëkatin e popullit dhe pastaj do ta spërkaste gjakun e tij mbi pajtuesin, i cili njihej edhe si froni i mëshirës. Izraelitët meritonin vdekjen për mëkatin e tyre, mirëpo, në dashamirësinë e tij, Perëndia siguronte këtë cjap si një zëvendësues që të vdiste në vend të tyre. Njerëzit mund të jetonin sepse kafsha ishte flijuar. Rezultati i asaj shlyerjeje shihej në atë që i ndodhte cjapit të dytë: prifti vendoste duart mbi kokën e tij, rrëfente mëkatet e popullit mbi të dhe më pas e dëbonte larg në shkretëtirë. Pas kësaj, kryeprifti mund të dilte para popullit, duke thënë pak a shumë këtë: Mëkatet tuaja janë shlyer. Gjaku është derdhur, dhe me derdhjen e gjakut ka falje për mëkatin. Cjapin tjetër e kam përzënë në shkretëtirë, dhe po kështu nuk duhet të shqetësoheni më për mëkatet tuaja dhe as t’i mbartni ato si barrë mbi shpinë. Në një mënyrë shumë specifike, Perëndia po themelonte këtë të vërtetë thelbësore: Ai është i gatshëm për të bërë atë që është e nevojshme, për t’i sjellë mëkatarët në praninë e Tij. Meqenëse njerëzit e Tij ishin (dhe janë ende!) të padisiplinuar, Atij iu desh të siguronte një flijim për mëkatshmërinë e tyre, duke i lejuar ata që t’i afroheshin Atij bazuar mbi veprimet e një tjetri. Çdo flijim tregonte përtej vetvetes, drejt flijimit të përsosur që do të ofronte Krishti me vdekjen e Tij në kryq, duke e trajtuar kështu mëkatin një herë e përgjithmonë. Si rezultat, ne mund të gëzojmë siguri të plotë përpara Perëndisë. Por kjo siguri nuk është te ne; përkundrazi, “Duke pasur, pra, o vëllezër, guxim për hyrje në Shenjtërore me anë të gjakut të Jezusit, përmes një udhe të re dhe të gjallë, të cilën e përuroi për ne nëpërmjet perdes (domethënë mishit të tij)” (Hebrenjve 10:19-20).

Kur tundoheni të lëkundeni, të dyshoni dhe t’i shikoni veprat tuaja si bazë sigurie, kujtoni ata dy cjep, që të dy ju tregojnë drejt veprës së Jezusit në kryq. Mëkati juaj është paguar. Mëkati juaj është hequr. Performanca juaj as nuk e përmirëson dhe as nuk e prish pozitën tuaj përpara Perëndisë tonë të shenjtë. Ja se ku e gjeni sigurinë tuaj:

Mbi një jetë që s’e jetova,
Mbi një vdekje që s’e shijova,
Mbi jetën e Tij, mbi vdekjen e Tij,
Mbështetet imja përjetësi.

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

HEBRENJVE 10:11-25