15 Mars 2026

“I bekuar qoftë Perëndia dhe Ati i Zotit tonë Jezu Krisht, ai që na bekoi me çdo bekim frymëror në vendet qiellore në Krishtin, ashtu si na zgjodhi në të përpara themelimit të botës, që ne të jemi të shenjtë dhe të patëmetë
përballë tij, në dashuri.” EFESIANËVE 1:3-4

Bibla nuk jep një përgjigje të drejtpërdrejtë se përse lejoi Perëndia që të ndodhte rënia në Kopshtin e Edenit. Në Bibël na thuhet se Perëndia i ka nën kontroll të gjitha gjërat, madje edhe rënien në mëkat.

Megjithatë, te letra që Pali u drejton efesianëve, na jepet një vështrim i shkurtër në planin e përjetshëm të Perëndisë. Ne shohim se Perëndia ishte duke vepruar përpara se bota jonë të ekzistonte, dhe nuk u kap në befasi nga rënia në mëkat. Kur mbretëria u prish si pasojë e rebelimit të Adamit dhe Evës, Perëndia tashmë e dinte se kjo do të ndodhte. Përpara se Eva dhe Adami të krijoheshin, përpara se ata të tregoheshin të pabindur, Perëndia e kishte planifikuar tashmë shpëtimin.

Kur mendojmë për misionin shpëtues të Perëndisë, i cili kulmoi përfundimisht në kryq, nuk duhet ta shohim atë si diçka që u sigurua në një çast krize. Përkundrazi, ne duhet ta shohim kryqin si të caktuar në mendjen e përjetshme të Perëndisë, i cili kishte vendosur që nga përjetësia të thërriste pranë Vetes një popull nëpërmjet Jezusit dhe të ripërtërinte nën kryesinë e Tij çdo gjë që do të prishej nga rënia.

Qëllimi i Perëndisë në këtë plan ishte dhe është “sipas pëlqimit të vullnetit të tij” dhe është “për lavdërim të lavdisë së hirit të tij” (Efesianëve 1:5-6). Motivimi në planin e përjetshëm të Perëndisë nuk ishte vetëm dëshira për t’i bërë të lumtur burrat dhe gratë — edhe pse ata bëhen përfundimisht të lumtur si rezultat i këtij plani — por vlerësimi për emrin e Tij. Ai ishte i vendosur që çdo gjë të vihej nën këmbët dhe nën kontrollin e Birit të Tij, Zotit Jezus, siç edhe duhet të jetë. Kështu pra, plani i përjetshëm shpengues i Perëndisë ka të bëjë plotësisht me Të dhe jo me ne. Ky plan na përfshin edhe ne. Na transformon. Mirëpo gjithçka ka të bëjë me Perëndinë. Derisa ungjilli të na shtyjë ta lavdërojmë Atë dhe të jetojmë për Të, ne nuk e kemi kuptuar atë siç duhet.

Perëndia është qendra e kësaj bote. Që nga rënia në mëkat, burrat dhe gratë kanë refuzuar ta pranojnë autoritetin e Tij dhe për më tepër i harxhojnë energjitë e tyre në përpjekje për ta rrëzuar Atë nga froni, dhe kjo ka pasoja katastrofike. Nuk ka asnjë pjesë të kësaj jete të tanishme që të mos jetë mbuluar nga pluhuri i vdekjes, sepse njeriu ka vendosur se nuk i pëlqen ideja që Perëndia është në qendër.

A do ta përshtatni sërish jetën tuaj dhe do të pranoni të drejtën e Perëndisë për të mbikëqyrur çdo aspekt të saj? A do të jetoni për lavdërimin e Tij dhe jo për lavdinë tuaj, për çështjen e Tij në vend të çështjes suaj? Paradoksi është ky: vetëm duke kërkuar lavdinë e Tij, në vend të lavdisë suaj, do të përjetoni gëzimin që vjen atëherë kur jeta juaj sillet në orbitë rreth Birit — atë gëzim që vjen nga të jetuarit në mënyrën që Perëndia planifikoi për ju dhe për gjithë krijimin që nga përjetësia.

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

EFESIANËVE 1:3-14