15 Janar 2026

“…hir mbi ju dhe paqe nga ai që është dhe ai që ishte, dhe ai që po vjen, dhe nga të shtatë frymët të cilat janë përpara fronit të tij, dhe nga Jezu Krishti, dëshmitari besnik, i parëlinduri i të vdekurve dhe kreu i mbretërve të tokës…” ZBULESA 1:4-5

Çfarë bën atëherë kur bindjet e tua të krishtera dhe rrethanat e jetës sate duket sikur shpallin dy të vërteta të ndryshme?

Ky ishte rebusi me të cilin përballeshin lexuesit e parë të Librit të Zbulesës. Libri i fundit në Biblën tonë nuk u shkrua për të na ngatërruar, por për të na bekuar (Zbulesa 1:3). Nuk duhet ta shohim atë si një koleksion gjëegjëzash apo si ndonjë kub Rubiku për teologjinë. Përkundrazi, ne duhet të kuptojmë se Gjoni po u shkruante lexuesve në një kontekst historik — besimtarëve të shekullit të parë që po goditeshin dhe po përndiqeshin nga autoritetet e kohës së tyre — për t’u ofruar shpresë dhe siguri.

Ungjilli po predikohej dhe populli i Perëndisë ishte plotësisht i bindur se Jezusi ashtu siç kishte shkuar, ashtu do të kthehej. Ata besonin se, si Zoti dhe Mbreti i lartësuar, Jezusi i kishte plotësisht nën kontroll të gjitha rrethanat dhe vullneti i Tij po kryhej në mbarë botën. Kjo ishte bindja e tyre. Mirëpo, kur shihnin rrethanat e tyre, dukej sikur ato nuk përputheshin me bindjet e tyre. Asnjë nga gjërat që ata ia pohonin njëri-tjetrit dhe që ua tregonin miqve dhe të afërmve të tyre nuk dukej sikur po ndodhte. Tallësit ishin të shumtë. Në fakt, apostulli Pjetër i kishte paralajmëruar tashmë besimtarët: “Në ditët e fundit do të vijnë me tallje tallës”, dhe ata do të pyesnin: “Ku është premtimi i ardhjes së tij? Sepse që kur etërit fjetën, të gjitha gjërat mbeten kështu, që nga fillimi i krijimit” (II e Pjetrit 3:3-4).

Ndërsa kisha ishte e vogël dhe e sulmuar, perandoritë e njeriut po rriteshin në fuqi dhe rëndësi. Intensiteti i përndjekjes po rritej. Pa dyshim që i Ligu erdhi dhe u shtiu në mendje këtyre të krishterëve që po vuanin, se ata kishin rënë pre e një mashtrimi të madh. Ata kishin nevojë që Jezusi të vinte dhe t’u jepte këndvështrimin e Tij, në mënyrë që problemet e tyre të mos i shkurajonin, t’i hutonin ose t’i mbingarkonin. Ata thjesht duhej të kuptonin këtë: se Jezusi ishte ende Zoti dhe Mbreti triumfues. Ringjallja e tij prej të vdekurish kishte shpallur autoritetin dhe integritetin e Tij. Njerëzit e Tij mund t’ia besonin Atij jetën dhe të ardhmen e tyre.

Në një botë që vazhdon ta shtypë popullin e Perëndisë, Libri i Zbulesës është pikërisht ajo që i duhet kishës sot. Ndërsa errësira ekonomike, privimi material dhe çështjet e moralit dhe të identitetit personal përbëjnë kërcënim real për mendjet e burrave dhe grave, mesazhi i Gjonit na kujton se besimi ynë i krishterë është më se i mjaftueshëm për t’u ballafaquar me sfidat dhe pyetjet me të cilat përballemi. A ju shtyjnë rrethanat të mendoni se ndoshta bindjet që keni për besimin tuaj mund të jenë të gabuara? Prehu në këtë siguri: Jezusi u ringjall, Jezusi mbretëron dhe përfundimisht, Jezusi fiton.

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

ZBULESA 1:1-8