14 Shkurt 2026

“Tani, në Damask ishte një dishepull me emrin Hanania, dhe Zoti i tha në vegim:
‘Hanania!’. Dhe ai tha: ‘Ja ku jam, o Zot.’” VEPRAT E APOSTUJVE 9:10

Çdo ditë, ju po i jepni formë reputacionit tuaj. Si të krishterë, çdo ditë po i jepni formë edhe reputacionit të Krishtit. Çfarë tregon jeta jonë për Krishtin ndërsa ecim si dishepuj të Tij? Hanania mund të jetë një personazh biblik jo shumë i njohur, por ai pati ndikim të thellë në jetën e Palit dhe për rrjedhojë në gjithë historinë e kishës. Ky ishte rezultat i besnikërisë së tij të përditshme dhe plot përkushtim si dishepull i Krishtit. Tri tipare të dishepullimit
të tij mund të na ndihmojnë për të formuar karakterin tonë dhe përkushtimin tonë ndaj Krishtit, ndërsa kërkojmë që të jemi të vlefshëm në mbretërinë e Perëndisë.

Së pari, siç thuhet te versioni KJV, Hanania ishte “një dishepull i caktuar” (theksimi i shtuar): ai që ishte zgjedhur në mënyrë specifike. Edhe përpara se ta sillte Palin (i cili atëherë njihej si Saul) në Damask ose ta thërriste Hananian, Perëndia e orkestroi në mënyrë sovrane përhapjen e kishës pas ditës së Rrëshajëve në Jerusalem, për të arritur të paktën 320 kilometra në veri të Damaskut, ku më pas u krijua një grup besimtarësh, në të cilin përfshihej edhe Hanania. Më pas, nga ky grup, Perëndia zgjodhi në mënyrë specifike Hananian që të shkonte te Pali pas kthimit të tij në besim. Kjo shfaqje e thellë e sovranitetit të Perëndisë duhet të na frymëzojë dhe të na inkurajojë për të besuar se Perëndia mund të jetë duke punuar në mënyra ende të padukshme, për të na përgatitur dhe për të na përdorur për përmbushjen e vullnetit të Tij.

Më pas, Hanania ishte një dishepull i guximshëm. Ai e identifikoi veten si ndjekës i Zotit — si pjesë e vetë grupit në Damask, të cilët Pali ishte nisur t’i përndiqte, përpara se të kthehej në besim (Veprat e Apostujve 9:1). Besnikëria e Hananias nuk ishte thjesht ndaj një kishe lokale, një denominacioni ose një pikëpamjeje teologjike, por ndaj Vetë Zotit Jezu Krisht. Në mënyrë të ngjashme, nëse Jezusi e ka pushtuar jetën tonë dhe na ka ndryshuar, atëherë ne nuk mund ta mbajmë këtë fakt jetëndryshues për vete. Ashtu siç i themi “jo” mëkatit kur marrim shpëtimin e Krishtit, duhet t’i themi “jo” edhe fshehjes së besimit tonë. Ose dishepullimi ynë do të shkatërrojë fshehtësinë tonë, ose fshehtësia jonë do të shkatërrojë dishepullimin tonë. 

Së fundi, Hanania ishte një dishepull i përkushtuar. Më vonë, Pali do ta kujtonte Hananian si “burrë i devotshëm sipas Ligjit, për të cilin dëshmohej nga të gjithë judenjtë që banonin atje”, në Damask (Veprat e Apostujve 22:12). Një reputacion i tillë nuk fitohet për pesë minuta dhe as për pesë ditë, por ngadalë, në rutinën e vazhdueshme të jetës. Hanania e zhvilloi një reputacion të tillë duke ia përkushtuar gjithë jetën ndjekjes së Perëndisë dhe fjalës së Tij — një përkushtim të cilin ai sigurisht që e shfaqi përmes punës të tij të përditshme dhe në ndërveprimet me të tjerët.

Jeta e Hananias na sfidon që të jemi besnikë në gjëra që duken të vogla dhe në ditë që duken të zakonshme. Ndoshta një ditë do të na bëhet thirrje për të bërë diçka të jashtëza- konshme për Zotin — mirëpo nuk duhet të presim deri atëherë përpara se të jetojmë me gjithë zemër për Të. Këtë gjë bëjnë dishepujt: me guxim, me përkushtim dhe me përulësi, ata ndjekin Perëndinë dhe i besojnë plotësisht Atij. Pavarësisht nëse jeni në mes të studi-
meve, duke rritur fëmijët, duke ndjekur karrierën ose në prag të pensionit dhe pleqërisë, përpiquni që t’i bëni të gjitha me besnikëri për lavdinë e Perëndisë. Synoni që të njiheni ashtu siç u njoh edhe Hanania: si një dishepull i Jezu Krishtit.

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

VEPRAT E APOSTUJVE 9:1-19