14 Mars 2026

“Jozueu, bir i Nunit, dhe Kalebi, bir i Jefunehut… grisën rrobat e tyre dhe i folën kështu asamblesë së bijve të Izraelit: ‘Vendi që kemi përshkuar për ta vëzhguar është një vend i mirë, shumë i mirë. Në rast se ZOTI kënaqet me ne, do të na çojë në këtë vend dhe do të na e japë neve “një vend ku rrjedh qumësht dhe mjaltë”.’”
NUMRAT 14:6-8

Më 3 maj 1953, një aeroplan që ishte nisur nga Singapori për në Londër, u rrëzua 35 kilometra në veriperëndim të Kalkutës, në Indi, dhe nuk pati asnjë të mbijetuar. Fred Mitchell-i, i cili ishte bërë drejtor i Misionit të Brendshëm të Kinës (China Inland Mission) dhjetë vjet më parë, po udhëtonte me atë avion. Në biografinë e tij, Fred-i përshkruhej si “një njeri i zakonshëm nga një shtëpi fshati, me prindër të klasës punëtore, i cili e kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij si kimist nëpër provinca — dhe që eci me Perëndinë”.

Derisa Kalebi, biri i Jefunehut, u bë vëzhgues, i caktuar nga Moisiu për të vëzhguar tokën që Perëndia kishte premtuar t’i jepte popullit të Tij, nuk kishte asgjë që të tregonte se ai ishte i veçantë, i rëndësishëm apo i shquar. Megjithatë, mund të themi pa dyshim se karakterin që zbulohet te Numrat 14, Perëndia e farkëtoi dhe e zhvilloi pikërisht në ato përvoja të zakonshme, gjatë rutinës së jetës së tij.

Kriza ka prirjen të zbulojë karakterin. Kur vëzhguesit izraelitë u kthyen për të raportuar për zbulimet e tyre në tokën e Kanaanit, ata njoftuan se qytetet ishin të fortifikuara dhe thanë: “Nuk mund të sulemi kundër këtij populli, sepse është më i fortë se ne… përballë të cilëve na dukej se ishim karkaleca” (Numrat 13:31, 33). Kështu, populli reagoi duke e akuzuar Perëndinë se i kishte sjellë në një vend ku do të vriteshin (14:3).

Përkushtimi i Kalebit ndaj Perëndisë bie në sy. Ai ishte i përgatitur që t’i bënte ballë valës së opinionit popullor. Kur vëzhguesit rekomanduan që të mos hynin në Tokën e Premtuar, ai qëndroi kundër tyre. Kur të gjithë po rebeloheshin kundër Perëndisë, ai ishte i vendosur që të mos bashkohej me ta. Ai, së bashku me Jozueun, mikun e tij besnik, ishin të vetmit burra që e këshilluan popullin t’i bindej Perëndisë me guxim.

Kalebi ishte i sigurt se çfarë mund të arrihej me anë të fuqisë së Perëndisë. Ai nuk e mohoi të vërtetën e asaj që kishin për të thënë vëzhguesit e tjerë; ai thjesht e pa atë nga një këndvështrim tjetër. Ai nuk gjente siguri në aftësinë e tij dhe as në aftësinë e izraelitëve, por në fuqinë e Perëndisë dhe në besueshmërinë e karakterit të Tij. Ai ishte një burrë me besim në mes të një atmosfere frike. Kalebi e dinte se një karkalec që ndihmohet nga Perëndia, është një karkalec që mund të bëjë gjëra të mëdha.

Edhe pse mund të mendojmë se jetët tona janë thjesht rutinë, gjithmonë mund ta kërkojmë Perëndinë në mes të rrjedhës së zakonshme të jetës. Ai do ta farkëtojë karakterin tonë në çastet më të zakonshme, në mënyrë që edhe ne të bëhemi guximtarë në të gjitha rrethanat. Perëndia nuk po kërkon gjigantë përmes të cilëve të arrijë planet e Tij. Ai po kërkon njerëz të zakonshëm që janë gati për t’i besuar Atij, për të ecur me besim dhe për t’iu bindur me guxim. Nuk ka asgjë që të ndalon për të qenë ai lloj personi sot.

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

NUMRAT 13:25 – 14:25