“…Jezusi… nisi t’i pyeste ata: ‘Çfarë po diskutonit gjatë rrugës?’. Por ata heshtnin, sepse gjatë rrugës biseduan me njëri-tjetrin se kush ishte më i madh. Dhe si u ul, thirri të dymbëdhjetët dhe u tha: ‘Nëse dikush dëshiron që të jetë i parë, duhet të jetë i fundit i të gjithëve dhe shërbëtor i të gjithëve.’” MARKU 9:33-35
Rivaliteti është pjesë e pandashme e jetës. Në një ekip, rivaliteti miqësor mund të jetë një mjet për të nxitur njëri-tjetrin, duke i ndihmuar anëtarët e ekipit të bëhen më të shpejtë ose më të fortë. Por kur rivaliteti bëhet shkak për egoizëm dhe xhelozi, ai e minon unitetin.
Rrugës për në Kafarnaum, Jezusi po i mësonte dishepujt, duke thënë: “Biri i Njeriut po dorëzohet në duart e njerëzve dhe do ta vrasin; dhe kur të vritet, mbas tri ditësh do të ringjallet” (Marku 9:31). Teksa ecte përpara tyre, Jezusi mund të ketë dëgjuar copëza bisedash nga dishepujt që po ecnin pas Tij. Diskutimi i tyre ishte i mbushur me rivalitet e xhelozi mbi madhështinë e tyre.
Kjo është një temë e papërshtatshme bisede në çdo rast, por sidomos në këtë kontekst. Sa e papërshtatshme ishte që, kur Jezusi po u jepte udhëzime në lidhje me vuajtjet dhe vdekjen e Tij, ata ishin të merakosur për pozitën dhe madhështinë e tyre!
Jezusi i pyeti ata për bisedën e tyre, që ta përdorte këtë si një mundësi për t’i mësuar. Në harkun e një fjalie, Ai i ktheu krejtësisht kokëposhtë idetë njerëzore mbi madhështinë. Madhështia e vërtetë në mbretërinë e Tij qëndron në vënien e vetes të fundit dhe në të qenët shërbëtor i gjithë të tjerëve. Në fund të fundit, kështu jetoi dhe vazhdon të jetojë Mbreti i asaj mbretërie, sepse Ai “nuk erdhi për të qenë i shërbyer, po për të shërbyer dhe për të dhënë jetën e vet si shpërblesë në vend të shumë vetave” (Marku 10:45).
Po të tregoheni të sinqertë, kur mendojmë për këtë skenë, në fytyrat e dishepujve ne shohim tonat. Dëgjojmë se si zërat tanë u bëjnë jehonë zërave të tyre. Shohim se edhe ne përpiqemi për të pasur pozitë, siç bënë edhe ata. Rivaliteti egoist del shpesh në sipërfaqe dhe kjo ndodh aty ku nuk ta pret mendja. Megjithatë, kundërhelmi është gjithmonë i njëjtë: përulësia. David Wells-i shkruan se ne të gjithë kemi nevojë për atë lloj përulësie, që është një “liri nga vetja jonë, e cila na mundëson të jemi në pozita ku nuk kemi as njohje, as rëndësi, as fuqi, as dukshmëri, madje edhe ku përjetojmë privim, e megjithatë, ndiejmë gëzim dhe kënaqësi… Kjo është liria që përjetojmë kur e dimë se nuk jemi në qendër të gjithësisë, madje as në qendër të universit tonë personal.”
Ky është një mësim i vështirë për t’u mësuar. Megjithatë, pavarësisht nga rivaliteti ynë, pavarësisht nga mungesa e përulësisë sonë, Jezusi nuk na braktis. Të parët e fytyrave tona në këtë skenë shërben për të na kujtuar se, teksa ecim përgjatë shtegut të dishepullimit, kemi vazhdimisht nevojë për hirin e Perëndisë. Vetëm hiri i Perëndisë mund të ta largojë përqendrimin nga vetja dhe të të çlirojë prej saj. Vetëm soditja e Atij që i la lavditë e qiellit për të vdekur për ty në një kryq, mund të ta ndryshojë zemrën, që të kërkosh të shërbesh dhe jo të të shërbejnë, dhe të mos interesohesh fare për prestigjin tënd, por të kërkosh të mirën e të tjerëve. Jezusi po të thërret sot që të shërbesh, ashtu siç Ai të shërben ty.
