13 Gusht 2026

“Atëherë niniveasit i besuan Perëndisë, shpallën një agjërim
dhe u veshën me thes, nga më i madhi deri te më i vogli nga ata. Kur lajmi i vajti mbretit të Ninivesë, ai u ngrit nga froni, hoqi mantelin e tij, u mbulua me thes dhe u ul mbi hi.”
JONA 3:5-6

A mund ta imagjinoni presidentin ose kryeministrin tuaj në një transmetim kombëtar ku i bën thirrje kombit për të hequr dorë nga veprat e dhunshme, për t’u larguar nga ligësia që kanë përqafuar dhe për të kërkuar mëshirën e Perëndisë, që Ai të mund të vijë dhe t’i shpëtojë nga gjykimi i Tij? Në thelb, kjo është ajo që ndodhi në Ninive, para syve të Jonas.

Është vërtet e jashtëzakonshme që niniveasit i besuan Perëndisë aq shpejt dhe aq plotësisht. Ndërsa e dëgjuan paralajmërimin e Jonas për gjykimin që po vinte, reagimi i tyre ishte gjithëpërfshirës dhe nga zemra, siç dëshmohet edhe nga veshja me thasë që tregonte pendim. Sigurisht që ky reagim publik u reflektua edhe nga reagimi i mbretit. Ai hoqi rrobat e tij mbretërore dhe u vesh me thes; ai ndryshoi vendin e tij, e la fronin dhe u ul në pluhur; ai ndryshoi edhe qëndrimin e tij, duke nxjerrë një shpallje publike për pendim.

Ky është shumë i ndryshëm nga qëndrimi i mjaft njerëzve në kohën e Jezusit dhe ndo­shta edhe në tonën. Siç mësoi edhe Vetë Jezusi, niniveasit “u penduan si përgjigje ndaj predi­kimit të Jonait”, kurse turmat e panumërta të njerëzve të cilëve u foli Ai, nuk e pranuan që “ja, më shumë se Jonai” — domethënë, Krishti — po shpallej tani (Luka 11:32). Ata e refuzuan atë që kishte kuptuar mbreti i Ninivesë kur tha: “…secili të kthehet nga rruga e tij e keqe… Ku ta dish në ktheftë Perëndia, në u pendoftë dhe lëntë mënjanë zemërimin e tij të zjarrtë, dhe kështu ne nuk vdesim” (Jona 3:8-9). Ai e pranoi se pendimi i niniveasve nuk do të thoshte domosdoshmërisht që Perëndia do të tregohej i mëshirshëm në reagimin e Tij. Mbreti ishte ende i pasigurt nëse kthimi i tyre do të shoqërohej me një kthim hyjnor.

Kjo na kujton këtë: edhe ata që janë penduar, nuk kanë asnjë argument pse Perëndia duhet t’i pranojë. Ata vazhdojnë të jenë tërësisht të varur te hiri i Perëndisë. Pendimi është i nevoj­shëm për faljen, por nuk e fiton atë. Ashtu si djali plëngprishës, personi që ka një zemër vërtet të penduar, thotë: “…O atë, mëkatova ndaj qiellit dhe përpara teje. Nuk jam më i denjë që të quhem biri yt…” (Luka 15:18-19). Pendimi fillon me pranimin që e meritojmë vërtet gjykimin e Perëndisë dhe me shpalljen e nevojës sonë të madhe për mëshirën e Tij.

Duke qenë se “më shumë se Jonai është këtu”, ne mund ta dimë dhe ta shpallim se pen­dimi gjithmonë do të shoqërohet me falje, “se ‘kushdo që do të thërrasë emrin e Zotit, do të shpëtohet’” (Romakëve 10:13). Mirëpo ne duhet të mësojmë nga ky mbret pagan, që nuk ia manipulojmë dot dorën Perëndisë me pendimin ose bindjen tonë, dhe se pendimi i vërtetë nuk është diçka e cekët, por vjen nga zemra dhe gjithmonë përfshin një ndryshim qëndrimi dhe sjelljeje. Ky është një mësim të cilit duhet t’i kushtojmë vëmendje çdo ditë të jetës sonë të krishterë — siç tha edhe Martin Luteri: “Kur Zoti dhe Mësuesi ynë Jezu Krisht tha: ‘Pendohuni’, ai po thoshte se e gjithë jeta e besimtarit duhet të karakterizohet nga pendimi.”

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

GJONI 15:12-17