13 Mars 2026

“Vërtet, shenjat e apostullit u kryen ndër ju me çdo qëndrueshmëri; dhe me shenja, dhe çudira, dhe vepra fuqie.” II KORINTASVE 12:12

Kur mendojmë për periudhën menjëherë pas ringjalljes dhe lartësimit të Krishtit, kur apostujt patën një shërbesë të suksesshme dhe kisha lindi, është e lehtë të përfytyrojmë ato “shenja, dhe çudira, dhe vepra fuqie” që u kryen — dhe të dëshirojmë të kishim qenë atje për t’i parë, që kështu besimi ynë të forcohej dhe shërbesa jonë të zgjerohej prej tyre.

Nuk ka pikë dyshimi që cilësia dhe numri i ngjarjeve të mbinatyrshme në atë kohë ishin diçka e veçantë dhe e papërsëritshme. Apostujve u ishin dhënë dhunti të mbinatyrshme, në një mënyrë që nuk u janë dhënë të krishterëve bashkëkohorë. Megjithatë, është e rëndësishme të vihet re se kisha e hershme nuk i bëri këto përvoja gurin e provës së besimit të vet. Nuk mund të përqendrohemi vetëm te mrekullitë dhe të na shpëtojë konteksti i tyre: ata që ishin të mbushur me Frymën e Perëndisë, u interesuan menjëherë që ta kuptonin dhe ta shpallnin fjalën e Perëndisë, gjë që i fuqizoi ata për të pasur “çdo qëndrueshmëri” — ose, siç thuhet në disa përkthime, “durim të madh” — gjatë gjithë jetës së tyre. Kisha nuk u ndërtua aq shumë nga mrekullitë e apostujve, por nga qëndrueshmëria besnike dhe plot guxim e atyre apostujve.

Pali nuk donte që fokusi i shërbesës së tij të ishte te mrekullitë e shumta që kreu ose te sprovat e rëndësishme që duroi, por te besimi plot vendosmëri që i kishte dhënë Perëndia dhe te të vërtetat që predikonte. Kur vëzhgojmë shërbesën e Palit, kur shohim barrët e tij dhe dëgjojmë britmat e zemrës së tij, e kemi të lehtë të kuptojmë se shenjat dhe çuditë që Perëndia bëri nëpërmjet tij, nuk kishin për qëllim të ishin shfaqje të bujshme të aktrimit të krishterë. Përkundrazi, ato lindën nga vuajtjet dhe kundërshtimet, ato ndodhën në një jetë që u sfidua deri në caqet e së pamundurës dhe theksuan të vërtetën e mesazhit që po predikohej.

Njohja e këtij konteksti do t’i kishte bërë dishepujt e Palit të pyesnin jo aq shumë se si i bëri ai mrekulli të tilla, por se si mundi të tregonte një besim kaq të palëkundur. Si mund të vazhdonte ai me “çdo qëndrueshmëri” ndërsa vuante? Vetëm për shkak të besimit të tij në Jezu Krishtin dhe të njohjes së fjalës së Perëndisë.

Çfarë na aftëson për t’u bërë ballë sprovave dhe për t’i kaluar sfidat në jetën e krishterë me qëndrueshmëri dhe durim? Mrekullitë? Shenjat? Çudirat? Jo — edhe pse favori i veçantë i Perëndisë mund të na ndihmojë në një çast të caktuar, në fakt, ngërthimi i fortë dhe përjetues i doktrinës bazë të krishterë do të jetë pa dyshim drita në shtegun tonë atëherë kur gjithçka tjetër duket e errët (Psalmi 119:105), do të jetë rrënja e besimit që shkon thellë, spiranca për shpirtrat tanë (Hebrenjve 6:19). Kur e vërteta e Perëndisë zë vend në zemrat dhe mendjet tona, ne mund të themi me siguri: “Ç’themel i patundur, o shenjtorë të Zotit tonë, është hedh’ për besimin në të shkëlqyerën fjalë!”.

Çfarë do t’ju forcojë? Nuk janë përvojat e jashtme, por besimi i brendshëm. Puna e Frymës brenda jush do të jetë gjithmonë një mrekulli më e madhe se çdo gjë që Perëndia mund të bëjë përqark jush. Lërini të tjerët t’ju shohin dhe të dallojnë jo vetëm mrekullitë që Ai bën në jetën tuaj, por edhe durimin tuaj maksimal gjatë sprovës dhe fuqinë e Frymës së Tij ndërsa i nënshtroheni së vërtetës së fjalës së Tij.

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

JAKOBI 5:7-11