“Dhe mbas gjashtë ditësh, Jezusi mori me vete Pjetrin dhe Jakobin, dhe Gjonin, vëllain e tij, dhe i çoi sipër në një mal të lartë, veçmas. Dhe ai u shndërrua përpara tyre, dhe fytyra e tij rrezatoi si dielli, dhe rrobat e tij u bënë të bardha si drita.” MATEU 17:1-2
Askujt nuk i pëlqen të ndihet vetëm dhe pa asnjë mik. Të gjithë ne e pranojmë rëndësinë e miqësisë dhe dhuratën e paçmueshme që mund të jetë një mik i vërtetë. Miqësia e thellë — miqësia e karakterizuar nga qëndrueshmëria, ndershmëria dhe ndjeshmëria — është standardi që na paraqet Bibla.
Solomoni thotë se një mik i vërtetë është gjithmonë besnik, pavarësisht nga rrethanat: “Miku do në çdo kohë” (Fjalët e Urta 17:17). Ne i shohim miqtë tanë pikërisht ashtu siç janë, prapëseprapë besnikëria jonë ndaj tyre mbetet e qëndrueshme. Për më tepër, miqtë e sinqertë janë të gatshëm për të plagosur, në mënyrë që miqtë e tyre të bëhen gjithçka që Perëndia ka ndër mend që ata të jenë: “Besnike janë plagët e një shoku” (27:6). Kjo mund të mos na pëlqejë, por secili prej nesh ka nevojë për miq që do të na bëjnë llogaridhënës, atëherë kur gabojmë — dhe secili prej nesh është i thirrur për të qenë vetë një mik i tillë.
Duhet, gjithashtu, të kemi parasysh mënyrën se si e përdorim gjuhën tonë: siç thotë Pali, “Asnjë fjalë e kalbur mos të dalë prej gojës suaj, por vetëm nëse ka ndonjë fjalë të mirë për ndërtim… me qëllim që t’u japë hir atyre që dëgjojnë” (Efesianëve 4:29). Një zemër mund të thyhet qoftë edhe me një fjalë të vetme, por mund të duhet një jetë e tërë për ta shëruar atë.
Burrat dhe gratë që i marrin seriozisht këto parime, mund të pyesin: “A ka me të vërtetë ndonjë mik që i mishëron karakteristika të tilla? A njoh ndokënd që është gjithmonë po ai, që më qorton me dashuri, që do të më trajtojë me hir dhe ndjeshmëri në të gjitha ndërveprimet e veta me mua?”. Dhe përgjigjja e këtyre pyetjeve gjendet, përfundimisht, në personin e Krishtit. Është e mahnitshme se sa i gjerë është rrethi i miqve të Zotit Jezus! Ai u miqësua me individët më të çuditshëm — ndaloi nën një pemë për të folur me një tagrambledhës, i kërkoi ujë një gruaje imorale, preku një lebros. Dashuria e Tij ishte e qëndrueshme; Ai ishte i përgatitur të thoshte fjalët e së vërtetës, sado sfiduese që mund të ishte kjo gjë; Ai i ngriti të tjerët lart. Mbi të gjitha, Ai i deshi miqtë e Tij aq sa të jepte jetën për ta (Gjoni 15:13). Ai është miku i mëkatarëve:
Ç’mik na është Jezu Krishti,
Në çdo rast Ai na mbron!
Ç’privilegj t’i shpiem Zotit
Gjithçka që zemrën na e lëndon!
Miqësia e Jezusit është standardi i artë për tonat. Si miq të Krishtit, ne jemi thirrur për t’i dashur të tjerët dhe për t’u miqësuar me ta ashtu siç veproi Ai. Në fakt, Jezusi tha: “Ju jeni miqtë e mi po të bëni ato që unë ju urdhëroj” (Gjoni 15:14). Ne duhet të shfrytëzojmë çdo mundësi për t’i përfshirë në miqësinë e Tij ata që janë pa miq dhe të dëshpëruar.
Jetojmë në një botë ku njohjet janë shpesh të panumërta dhe “miqtë e Facebook-ut” janë të shumtë. Mirëpo kjo nuk është miqësi e vërtetë. A ke miq që janë besnikë, të ngushtë dhe si Krishti? Nëse ke, vlerësoji. Nëse nuk ke, lutu për disa. Dhe sot, ji një mik i tillë për të tjerët. Pikërisht ti mund të jesh përgjigjja për vetminë e dikujt ose ai që mund ta shpëtojë dikë nga rrënimi.
