“Fjala e ZOTIT iu drejtua Jonas për herë të dytë, duke thënë: ‘Çohu, shko në Ninive, qyteti i madh, dhe shpalli atij mesazhin që po të urdhëroj’. Kështu Jona u ngrit dhe shkoi në Ninive, sipas fjalës së ZOTIT…” JONA 3:1-3
Perëndia është Perëndi i mundësive të dyta.
Jona kishte reaguar duke iu larguar dhe duke iu fshehur thirrjes së Perëndisë për të paralajmëruar Ninivenë për gjykimin e Tij që po vinte. Mirëpo kur thirrja erdhi sërish, kësaj here ai u tregua i shpejtë për t’u bindur. Duke qenë i vetëdijshëm për dështimin e tij dhe për hirin e Perëndisë ndaj tij, Jona dukej i zellshëm për t’u predikuar atyre që në mundësinë e parë që do t’i jepej. Kur më në fund lexojmë se Jona u bëri thirrje njerëzve që të pendoheshin, mund ta imagjinojmë se sa shumë peshë kishte përjetimi i tij ndërsa u tregonte për pasojat hyjnore të mosbindjes. Ai u solli një paralajmërim dhe sigurisht që kjo u shoqërua me një dëshmi personale për faktin që Perëndia është i gatshëm dhe i aftë për t’i shpëtuar njerëzit mëkatarë edhe nga rrethanat më të skajshme. Edhe pse më vonë Jona do të tregonte se nuk e kishte përqafuar gjerësinë dhe pakufishmërinë e hirit të Perëndisë (Jona 4:1-3), sigurisht që mesazhi që ai u përcolli niniveasve karakterizohej nga mëshira që Perëndia i kishte treguar atij. Ai të cilit i ishte dhënë një mundësi e dytë përmes sigurimit hyjnor të një peshku të madh, tani po i ofronte një mundësi të dytë një qyteti me burra dhe gra që ishin larguar prerazi nga Zoti.
A e ke kuptuar se Perëndia është Perëndia i mundësive të dyta (të treta dhe të katërta)? A e ke kuptuar se nuk mund t’ia kalosh dot mëshirës së Perëndisë dhe as t’i njohësh thellësitë e hirit të Tij? Nëse e ke kuptuar, sigurisht që do t’ua ofrosh mesazhin e ungjillit të tjerëve. Mënyra se si e bën këtë do të reflektojë mëshirën që ke marrë. Nëse të krishterët tingëllojnë zemërakë, të pashpirt dhe legalistë teksa flasin për besimin e tyre, kjo do të thotë që zemrat e tyre nuk janë zbutur mjaftueshëm nga mëshira, hiri dhe dashuria e Perëndisë. Megjithatë, nëse në fjalët dhe veprat e një të krishteri ka një ndjesi mahnitjeje tërheqëse dhe të hijshme të mëshirës së Perëndisë, mund të hamendësojmë me siguri që ai ose ajo e ka përjetuar këtë mëshirë.
Charles Wesley, shkrimtari i himneve, të cilit mëshira e Perëndisë ia fitoi zemrën, shpalli me plot gojë:
Thellësi mëshire! Mund të ketë vallë për mua mëshirë?
Zemërimin a mund ta frenojë vallë? Mua, kreun e mëkatarëve, të më mëshirojë?
Shumë gjatë i rezistova hirit të Tij; shumë gjatë hapur e provokova;
Thirrjeve të Tij veshin nuk ua vura; me një mijë rrëzime Atë e trishtova…
Ja ku del Shpëtimtari për mua; krahëhapur vurratat e Tij tregon:
Perëndia është dashuri! Këtë tani e di; Jezusi qan, por ende më do.
Reflekto tani për mëshirën e Perëndisë për ty — që të solli në besim dhe pastaj për durimin e Tij të vazhdueshëm ndaj teje, si dhe për faljen që të ka dhënë. Lëre ndjesinë e mahnitjes për mënyrën se si Ai të ka trajtuar, të përshkojë mënyrën se si ua tregon të tjerëve historinë e dashurisë së Tij shpenguese. Nëse njeh dikë të cilit nuk ke arritur t’i tregosh për mëshirën e Perëndisë ose t’i flisje për këtë kur e kishe mundësinë, lutu tani për një mundësi të dytë — dhe pastaj mos e lër pa e shfrytëzuar.
